Fshati turistik në Theth – Kabinat e paligjshme i kalojnë shtetit, Ministria e Drejtësisë përgatit denoncimin në KLP për prokuroren

Kronikë | 1 vit më parë

Pas aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Policisë së Shtetit në Theth, është konfirmuar se të gjitha kabinat e ndërtuara në mënyrë të paligjshme do t’i kalojnë shtetit. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka nisur procedurat për të denoncuar prokuroren Elsa Gjeli pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), pas akuzave publike për mosveprim në këtë çështje.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se kabinat e “fshatit turistik” të ndërtuara pa leje në fushën e Thethit, të cilësuara prej tij si “plagë” për natyrën dhe imazhin e zonës, do të konfiskohen nga shteti. Ky veprim vjen si pasojë e aksionit të ndërmarrë sot nga IKMT dhe Policia e Shtetit, me qëllim lirimin e hapësirave publike dhe shembjen e ndërtimeve të paligjshme.

Rama deklaroi se ekipet e Bashkisë Shkodër, në bashkëpunim me IKMT, janë zotuar të mos largohen nga Thethi pa e “shëruar zemrën e qytezës magjike”, duke synuar kthimin e zonës në gjendjen e mëparshme.

“Natyrisht që të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti dhe skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do të largohet nga Thethi pa e shëruar zemrën e qytezës magjike, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Rasti denoncohet në KLP

Ndërkohë, rasti ka marrë një dimension të ri me përfshirjen e Ministrisë së Drejtësisë. Pas denoncimit publik të Kryeministrit Edi Rama për mosveprimin e prokurores Elsa Gjeli, e cila, sipas tij, kishte hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit për ndërtimet pa leje, Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e këtij “skandali” pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Denoncimi në KLP mund të çojë në një hetim disiplinor ndaj prokurores së Shkodrës.

Prokuroria: Vendimi për Thethin, në përputhje me ligjin

Pas deklaratave publike të Kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin e prokurores Elsa Gjeli për mosfillimin e hetimeve ndaj ndërtimeve të dyshuara pa leje në Theth, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka lëshuar një sqarim zyrtar.

Prokuroria thekson se vendimi është marrë në përputhje të plotë me Kodin e Procedurës Penale dhe standardet ligjore, duke mbrojtur pavarësinë funksionale të prokurorëve.

Në deklaratën e saj, Prokuroria thekson se vendimi i prokurores Elsa Gjeli, datë 30.05.2025, mbështetet në nenin 290, pika ç të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon se “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston.”

Më specifikisht, Prokuroria sqaron se pas vlerësimit të fakteve dhe akteve procedurale, u konstatua se veprimi i referuar nga Policia e Shtetit nuk përbën ndërtim të paligjshëm në kuptim të nenit 199/a të Kodit Penal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme