Përmbytjet katastrofike në Teksas, më shumë se 100 viktima. Jepet alarmi për shira dhe stuhi kërcënuese

Botë | 1 vit më parë

Është rritur numri i viktimave nga përmbytjet tragjike që goditën Teksasin disa ditë më parë. Më shumë se 100 persona kanë humbur jetën, ndërsa me dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Prej së premtes (4 korrik) ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën për gjetjen e të mbijetuarve në një kohë kur rajoni kërcënohet nga më shumë shira dhe stuhi.

Kampi Mystic, një kamp veror për vajza të krishtera, konfirmoi se të paktën 27 vajza dhe stafi ishin në mesin e viktimave. Dhjetë vajza dhe një këshilltar i kampit rezultojnë ende të zhdukur.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë sugjerimet se shkurtimet buxhetore në Shërbimin Kombëtar të Motit (NËS) mund të kenë penguar reagimin ndaj katastrofave.

Të paktën 84 nga viktimat (56 të rritur dhe 28 fëmijë) humbën jetën në Qarkun Kerr. “Rreth 22 të rritur dhe 10 fëmijë ende nuk janë identifikuar”, tha zyra e sherifit të qarkut.

Në parashikimin e saj të fundit, NWS ka parashikuar më shumë stuhi me lëvizje të ngadaltë, duke sjellë potencialisht më shumë përmbytje të menjëhershme në rajon.

Kritikët e administratës Trump janë përpjekur ta lidhin katastrofën me mijëra shkurtime vendesh pune në agjencinë mëmë të NWS, Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, hodhi poshtë përpjekjet për të fajësuar presidentin. “Ky ishte një akt i Zotit. Nuk është faji i administratës që përmbytja ndodhi kur ndodhi, por pati paralajmërime të hershme dhe të vazhdueshme dhe, përsëri, Shërbimi Kombëtar i Motit bëri punën e vet“, tha ajo në një konferencë të përditshme të hënën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme