Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Veliajt për lirim nga qelia, lihet në fuqi masa “arrest me burg”

Aktualitet | 1 vit më parë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të vijojë të qëndrojë në qeli. Gjykata e Lartë rrëzoi këtë të martë (8 korrik) kërkesën e Veliaj për lirim nga qelia, duke lënë në fuqi masën “arrest me burg”.

Pak javë më  parë, edhe Apeli i Gjykatës së Posaçme refuzoi kërkesën e Veliajt për zbutjen e masës “arrest në burg”.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, në ambientet e Bashkisë së Tiranës, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në 9 raste, si dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në kuadër të këtij hetimi, edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, është marrë e pandehur, duke iu caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Pak javë më parë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar së bashku me Gjykatën e Posaçme sekuestruan një pronë të kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij në zonën e Kodrës së Diellit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme