SPAK sekuestron një pronë të Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës

Aktualitet | 1 vit më parë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar së bashku me Gjykatën e Posaçme ka sekuestruar një pronë të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa në zonën e Kodrës së Diellit.

Gjithashtu SPAK shpjegon se ka regjistruar procedimin penal ndaj Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës për veprat penale që nisin nga “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Deklaratat e rreme  përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Sipas SPAK-ut, pas kryerjes së veprimeve hetimore, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se “ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë konsumuar edhe elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Për këtë shkak, më datë 20.05.2025 emrat e këtyre shtetasve janë regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar veprën penale cituar më lart.”

Gjithashtu, SPAK bën të ditur se ka bërë kërkesë në Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila ka vendosur; caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, mbi pasurinë e paluajtshme: Pasuria nr. dhe shtesë me numër pasurie, ‏regjistruar në ASHK  në emër të subjektit tregtar “A. K.” Shpk.

“Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim E. V.  dhe A. X. kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht këta shtetas jetojnë”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ndërkaq avokatët e Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, kanë reaguar mbi vendimin e Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e një pasurie në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe krim të organizuar.

Në një deklaratë për mediat, ata sqarojnë se as Veliaj dhe as znj. Xoxa nuk janë pronarë të pasurisë së sekuestruar dhe nuk kanë asnjë lidhje ligjore apo pasurore me subjektin tregtar “A.K.” shpk, që ndodhet në fokus të procedimit penal nr. 27/2024.

“Në vijim të raportimeve mediatike dhe interesit të shtuar publik lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 27 të vitit 2024, sqarojmë si më poshtë: As z. Erion Veliaj dhe as znj. Ajola Xoxa nuk janë pronarë të kësaj pasurie të sekuestruar dhe nuk kanë asnjë lidhje pasurore apo ligjore me subjektin tregtar “A.K.” shpk, e as me pasurinë që është objekt i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”. Pasuria e paluajtshme në pronësi të znj. Xoxa është apartamenti ku ata banojnë, në zonën e Selitës, krijuar para marteses dhe ky apartament nuk është dhe nuk ka qenë në asnjë moment objekt hetimi apo sekuestrimi nga ndonjë autoritet ligjzbatues”, thuhet në deklaratë.

Avokatët theksojnë gjithashtu se çdo hetim duhet të bazohet në fakte dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë. Ata rikujtojnë se çifti Veliaj-Xoxa ka deklaruar gjithmonë pasuritë në përputhje me ligjin dhe ka bashkëpunuar me institucionet përkatëse.

“Theksojmë se është në të drejtën ligjore të organit të akuzës të kryejë hetime, por dyshimet e ngritura duhet të bazohen në fakte konkrete dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave themelore të individit. Z. Veliaj dhe znj. Xoxa kanë deklaruar pasuritë e tyre, si para, edhe pas martesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet përgjegjëse. Çdo përpjekje për të deformuar realitetin dhe për të lidhur emrin e tyre me çështje që nuk kanë asnjë bazë ligjore përbën keqinformim të opinionit publik dhe sulm ndaj figurës publike të z. Veliaj, për çka do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe zbardhjen deri në fund të së vërtetës. Ju kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim të krijuar komshinjve të çiftit Veliaj-Xoxa dhe i vetmi “faj” i tyre është se banojnë në të njëjtin pallat me këto të fundit”, thuhet në reagimin e avokatëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme