Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan, policia sqaron rrethanat e rastit: Ishte jo bashkëpunues, tentoi të ikë

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka sqaruar rrethanat e rastit ku vdiq një 27-vjeçar në Lipjan pas arrestimit.
Sipas Policisë, para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor.
Në komunikatën e Policisë së Kosovës thuhet se zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin sprej-in policor, sepse sipas tyre, tashmë viktima ishte jobashkëpunes duke tentuar ikjen.
Po ashtu, Policia thotë se gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për t’i ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike.
“Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë”, thuhet në komunikatë.
Policia ka thënë se autoambulanca me ekipin mjekësor emergjent, kanë arritur në vendin e ngjarjes brenda një kohe shumë të shpejtë (3 min), për t’i dhënë ndihmën e parë personit në fjalë, ku më pas njësia emergjente ka konstatuar vdekjen e tij.
Policia ka deklaruar se në vendngjarje te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim.
“Sipas procedurave të parapara ligjore, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore, Prokurori për krime të rënda si dhe Inspektorati Policor i Kosovës. Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Të gjitha provat e siguruara përfshirë edhe pamjet e kamerave që ndihmojnë në zbardhjen e rastit janë ndarë me institucionet relevante, respektivisht me Inspektoratin Policor dhe Prokurorinë”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Me rekomandim të IPK-së janë suspenduar katër zyrtarë policorë dhe një rreshter, të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit, dhe ricilësimit të veprës, janë dërguar në mbajtje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




