Përcillet dëshmori Arben Anamali, kapiteni i anijes turistike humbi jetën duke shpëtuar dy turistë
Është përcjellë në banesën e fundit Arben Anamali, kapiteni i njërës prej anijeve turistike të Bashkisë Shkodër, që humbi jetën duke shpëtuar dy turistë në liqenin e Shkodrës.
Homazhe në nderim të të ndjerit kanë bërë edhe autoritete vendore, të cilët kanë vlerësuar gjestin e rrallë të Arbenit, tashmë i shpallur “Dëshmor i Atdheut”.
“Erdhën për t’i shprehur ngushëllimet familjes Anamali për aktin heroik të Arbenit, për t’i shprehur të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin tonë në këtë ditë të vështirë, por gjithashtu për t’i thënë se jemi krenarë për aktin e tij sublim,” tha prefektja e qarkut, Majlinda Angoni.
“Arbeni do të mbetet i paharruar për ne, jo vetëm për aktin që bëri, por si një punonjës e një njeri shumë i mirë, që ishte dhe e donin të gjithë. Ai ka lënë kujtime te çdo bashkëpunëtor dhe i tillë do të mbetet kujtimi i tij përjetë,” u shpreh Teuta Qyteza, zëvendëskryetare e Bashkisë Shkodër.
51-vjeçari Anamali humbi jetën më 8 korrik në liqenin e Shkodrës. Ai u hodh të shpëtonte dy turistë të huaj, duke ia dalë, por fatkeqësisht sakrifikoi jetën e tij.
Trupi i pajetë i Arbenit u gjet mëngjesin e ditës së enjte pas kërkimeve intensive të palombarëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, punonjësve të Bashkisë Shkodër dhe banorëve të zonës.
Akti i tij është vlerësuar nga opinioni publik, por edhe autoritetet shtetërore, si presidenti bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci.
Gazetar: Adrian Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



