Shkodër – U mbyt në liqen pasi shpëtoi dy turistë, gjendet trupi i pajetë i kapitenit Arben Anamali

Pas rreth 48 orësh kërkime, është gjetur sot (10 korrik) trupi i pajetë i kapitenit Arben Anamali, i cili u mbyt në liqenin e Shkodrës, pasi i shpëtoi jetën dy turistëve. Trupi i pajetë i 51-vjeçarit u gjet nga palombarët rreth orës 5 të mëngjesit.
Pasditen e 8 korrikut, Arben Anamali, kapiteni i anijes “Drini”, që menaxhohet nga Bashkia e Shkodrës për qëllime turistike, ishte nisur për lundrim me një grup turistësh. Pavarësisht erës së fortë, mësohet se disa prej turistëve këmbëngulën që të hidhen për t’u larë në ujërat e liqenit. Kjo rezultoi e vështirë në ato rrethana, për shkak se ujërat e trazuar filluan t’i largojnë turistët disa metra nga mjeti lundrues, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e kapitenit fillimisht me kamerdaret e shpëtimit dhe pastaj duke u hedhur ai vetë në ujë për t’i shpëtuar. Megjithëse arriti t’i nxjerrë me sukses të tjerët nga rreziku, kapiteni nuk mundi të kthehej përsëri në anijen e tij.
Gjesti i Anamalit dhe sakrificat e tij deri në vetëmohim për të shpëtuar jetët e të tjerëve preku thellë opinionin publik, duke u vlerësuar si një shembull i jashtëzakonshëm i humanizmit dhe guximit.
Presidenti Bajram Begaj e konsideroi kapitenin Anamali një “model shoqëror” dhe “shpirt heroik”.
Arben Anamali punonte për Bashkinë e Shkodrës prej një viti si kapiten i licensuar. Ai ishte baba i dy fëmijëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




