Lirimi i hapësirave publike në Elbasan, qytetarët: Jemi të çliruar

Sociale | 1 vit më parë

Prej 5 ditësh, në Elbasan ka nisur lirimi i hapësirave publike. Fillimisht bashkia u ka kërkuar bizneseve lirimin vullnetar të hapësirave të zëna padrejtësisht. E hëna është afati i fundit për lirim vullnetar, ndërsa grupet e punës janë në terren duke komunikuar me çdo shkelës. Deri tani një pjesë e bizneseve kanë reaguar, por ka edhe nga ata që ende nuk kanë marrë masa për lirimin e hapësirave. Qytetarët e vlerësojnë aksionin, ndërsa shtojnë se paligjshmëria nuk duhet lejuar të ndodhë:

“Është një veprim shumë i mirë, në darkë nuk kishe ku të kaloje“, tha një qytetar.

“Është veprim i duhuri, pjesa më e madhe është liruar“, u shpreh një tjetër.

“Shumë gjë e mirë, s’kishin ku kalonin njerëzit, kishin nxjerr karrige, vazo me lule. Mirë është të pastrohet. Bordurat e trotuareve na pengonin ecnim me kujdes“, tha një tjetër qytetar.

“Mirë bëri, por pse e lanë që të bëhesh, që të ma lesh ta bëj e më pas të ma prishësh, hyn tek krimi sepse un kam harxhuar para. Pse e la? Por që po e prishin më mirë vonë sesa hiç. S’kemi ku rrime, s’kemi ku kalojmë“, deklaroi një qytetar.

“Çdo gjë duhet të shkojë në vendin e vet. Rruga është e pastër dhe qytetarët kalojnë lirshëm, trotuari është i të gjithëve, ne i paguajmë taksa shtetit, Bashkia merr taksa”, tha një tjetër.

Bashkia e Elbasanit ishte një prej më të kritikuarave në takimin e zgjeruar të së premtes në Durrës. Kryeministri Rama disa herë iu referua me kritika kryetarit të kësaj bashkie dhe vartësve të tij për moskryerjen e detyrave që ju ngarkon ligji.

Gazetar: E. Molla   

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme