Asllani me Hoffenheim deri në vitin 2029: Dua të provoj veten në Bundesligë

Hoffenheim zgjat kontratën me Fisnik Asllanin deri në vitin 2029, e cila skadonte në qershor të vitit 2026. Sulmuesi 22-vjeçar, golashënuesi më i mirë në Bundesligën e dytë sezonin e kaluar, ka nënshkruar një kontratë të re afatgjatë me klubin. Drejtori sportiv Andreas Schicker komentoi: “Fisnik është një sulmues shumë i talentuar që demonstroi potencialin e tij gjatë huazimit te Elversberg vitin e kaluar. Golat dhe asistet e tij flasin vetë. Huazimi ishte një hap i rëndësishëm në zhvillimin e tij dhe u ka sjellë dobi të gjithëve të përfshirë”.
Schicker theksoi gjithashtu se performancat e shkëlqyera të Asllanit në divizionin e dytë nuk kanë kaluar pa u vënë re, me shumë klube të interesuara për të: “Jemi të lumtur që ai ka zgjedhur të qëndrojë te Hoffenheim dhe jemi të bindur se do të vazhdojë të rritet me ne, duke i sjellë gëzim të madh klubit”.
Asllani shprehu kënaqësinë e tij për rinovimin: “Jam shumë i lumtur që kam zgjatur kontratën time me Hoffenheim. Pas huazimeve të mia gjatë dy viteve të fundit, ndjeva se udhëtimi im me Hoffenheim nuk kishte mbaruar ende. Jam shumë i motivuar dhe dua të provoj veten në Bundesligë”.
Asllani mbërriti në vitin 2020 dhe debutoi në Bundesligë në nëntor 2021. Sezonin e kaluar, i huazuar te Elversberg, ai shënoi 18 gola dhe dha nëntë asiste, duke u bërë golashënuesi më i mirë në Bundesligën e dytë. Ai debutoi për ekipin kombëtar të Kosovës në shtator 2024.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




