Rama: Kemi shembur mbi 100 ngrehina pa leje, Thethi do pastrohet deri në mbeturinën e fundit

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth ku vijon pastrimi i mbetjeve inerte të këtyre objekteve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan deri më tani janë shembur mbi 100 objekte pa leje, të ndërtuara nga 40 subjekte në mënyrë të paligjshme në Theth, përfshirë struktura me mure, konstruksione metalike dhe me dru.

Sipas Ramës, ndërtimet pa leje në Theth janë një “marrëzi kriminale”, që dëmton historinë, ligjin dhe turizmin.

Ai e ka cilësuar aksionin e qeverisë si fazën e dytë të Rilindjes Urbane 2.0, që sipas tij është domosdoshme për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje – nga ato me mure tek ato me kontruksion metalik e me dru – në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të pejsazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot.

Forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale.

Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan kryeministri Edi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme