Kosovë- Qeveria në detyrë ‘Kurti’ përplaset me Gjykatën Supreme, ambasadori gjerman Rohde: Ndërhyrjet politike në gjyqësor janë të papranueshme

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për deklaratën e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, duke dënuar ashpër ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor dhe sulmet ndaj gjyqtarëve.
Këto deklarata vijnë pas një vendimi të Gjykatës Supreme për çështjen e fiskalizimit, i cili ka nxitur debat të gjerë në vend.
“Mbështetje e plotë për qëndrimin e ambasadorit të BE-së! Sulmet ndaj gjyqtarëve dhe ndërhyrjet politike në gjyqësor janë absolutisht të papranueshme. Është gjëja e fundit që i duhet këtij vendi në këtë situatë të vështirë politike,” shkroi ambasadori Rohde në rrjetin social Bluesky, duke iu referuar deklaratës së mëparshme të ambasadorit Orav.
Reagimet e diplomatëve perëndimorë pasojnë vendimin e Gjykatës Supreme për pezullimin e përkohshëm të Udhëzimit Administrativ për fiskalizimin digjital. Ky vendim ka ndezur një debat të thellë politik dhe institucional në Kosovë, duke nxjerrë në pah tensionet mes degëve të pushtetit dhe ndërhyrjet e mundshme në pavarësinë e drejtësisë.

Ambasadori i BE-së: Ndërhyrjet politike në gjyqësorin e Kosovës janë të papranueshme
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka dënuar ashpër ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor dhe sulmet ndaj gjyqtarëve individualë. Deklarata e tij erdhi pas një takimi të krerëve të misioneve të BE-së, ku u diskutua situata pas vendimit të Gjykatës Supreme për çështjen e fiskalizimit.
“Krerët e misioneve të BE-së diskutuan situatën pas vendimit të Gjykatës Supreme. Sulmet kundër gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrja politike në gjyqësor janë të papranueshme,” shkroi ambasadori Orav në platformën X.

Ky reagim i fortë nga përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë thekson shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar për pavarësinë e sistemit të drejtësisë në vend, sidomos në një periudhë kur vendimet gjyqësore po shkaktojnë debate të thella politike dhe institucionale.
Qeveria në detyrë e Kosovës kundërshtoi vendimin e Gjykatës Supreme për fiskalizimin
Qeveria në detyrë e Kosovës reagoi ashpër një ditë më parë ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila shfuqizoi Udhëzimin Administrativ që rregullon përdorimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve dhe softuerëve për fiskalizim. Në një komunikatë për media, Qeveria shprehu shqetësimin dhe kundërshtimin e saj, duke e cilësuar vendimin si “të pabazuar në ligj dhe me interpretim të njëanshëm të dispozitave ligjore”.
Qeveria kundërshton arsyetimin e Gjykatës se udhëzimi ishte miratuar nga një qeveri dhe ministër në detyrë pa kompetencë. Sipas Qeverisë, neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk ndalon nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë, por përjashton vetëm veprimet që lidhen me marrëveshje ndërkombëtare, projektligje të reja, strategji dhe dokumente konceptuale.
Për më tepër, Qeveria sqaroi se procedura për hartimin e këtij udhëzimi kishte nisur në nëntor të vitit 2024, periudhë gjatë së cilës ajo gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor. Ky fakt, sipas saj, i jep aktit “legjitimitet të plotë procedural dhe substancial”.
Komunikata për shtyp thekson se “vendimi i Gjykatës është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, sepse njëkohësisht njeh ekzistencën e Qeverisë në detyrë, por mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




