OKB: 80 mijë persona zhvendosen nga dhuna në jug të Sirisë

Gati 80 mijë njerëz janë shpërngulur nga dhuna sektare në jug të Sirisë që filloi javën e kaluar. Shifrën e bën të ditur agjencia e migracionit e Kombeve të Bashkuara. Në një deklaratë për mediat, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin thotë se “79,339 njerëz janë shpërngulur që nga 13 korriku, përfshirë 20,019 më 17 korrik, ” duke shtuar se shërbimet e ujit, energjisë elektrike dhe telekomunikacionit në Sweida ishin shembur “dhe mungesat e karburantit kishin gjymtuar transportin dhe logjistikën e urgjencës.
Ndërkaq, para pak ditësh Izraeli duket se hapi një front të ri lufte, duke u kthyer kundër regjimit të ri sirian dhe duke goditur ndërtesën e ministrisë së mbrojtjes në Damask.
Avionët luftarakë izraelitë bombarduan gjithashtu forcat qeveritare siriane në jug, ku ka shpërthyer dhuna sektare midis pakicës druze dhe fiseve beduine.
Deri më tani, më shumë se 300 persona janë vrarë në përleshjet që nga e diela, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. Nga ana e tij, Izraeli pretendon se veproi për të mbrojtur druzët, një grup fetar pakicë me lidhje të hershme me Izraelin.
Druzët, të cilët janë përleshur prej kohësh me pakicat beduine, u revoltuan javën e kaluar kur një adoleshent druz u grabit në rrugën për në Damask. Druzët morën peng disa beduinë në shenjë hakmarrjeje dhe luftimet midis dy komuniteteve shpërthyen në qytetin Suëayda pranë kufirit izraelit, duke lënë më shumë se 100 të vdekur.
Regjimi i ri sirian dërgoi trupa, gjoja për të ruajtur paqen, por disa nga këto forca vranë civilë druzë gjatë këtij procesi dhe poshtëruan të tjerë duke ua rruar mustaqet. Izraeli u përgjigj duke bombarduar pozicionet siriane dhe duke vrarë disa nga ushtarët dhe civilët e tyre.
Kush janë Druzët?
Druzët janë një grup fetar dhe etnik që numëron rreth një milion njerëz, kryesisht të vendosur në Siri, Liban dhe Izrael. Ata janë një komunitet fetar i mbyllur me rrënjë në shekullin e 11-të. Në Siri, shumica e Druzëve jetojnë në pjesën jugore të vendit, kryesisht në Guvernatoratin Sëeida, pranë Lartësive të Golanit. Më shumë se 20,000 Druzë jetojnë në Lartësitë e Golanit, të cilat Izraeli i pushtoi në vitin 1967 dhe i aneksoi në vitin 1981.
Shumica kanë refuzuar shtetësinë izraelite, duke mbajtur kartat e identitetit sirian dhe kartat e qëndrimit të përhershëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




