Aksion masiv në Dukat, angazhohen FA për të mbrojtur Llogoranë nga flakët, Vengu: Besojmë se mund të parandalojmë përhapjen e zjarrit në pjesën tjetër

Mbi 80 efektivë nga Forcat e Armatosura, zjarrfikës dhe ekipe të emergjencave civile janë angazhuar në një operacion masiv për të vënë nën kontroll një vatër zjarri në Dukat, me qëllim parandalimin e përhapjes së flakëve drejt Parkut Kombëtar të Llogorasë. Aksioni, i koordinuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, po zhvillohet në një terren të vështirë, i cili ka riaktivizuar zjarrin dy ditë pasi ishte shuar.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ishte të dielën në vendngjarje dhe deklaroi se operacioni po kryhet me një përbërje shumëplanëshe forcash, duke përdorur mjete nga ajri dhe toka.
“Jemi në kushte të vështira, pasi përpjekja zhvillohet në lartësitë e Dukatit. Besojmë se mund të parandalojmë përhapjen e zjarrit në pjesën tjetër,” tha ministri Vengu.
Ai konfirmoi se në zonën e Dukatit po vepron një helikopter, ndërsa tre të tjerë janë të angazhuar në zona të ndryshme të vendit.
Ministri shtoi se Shqipëria, ashtu si e gjithë rajoni i Mesdheut, po përballet me një valë intensive zjarresh. Ai theksoi se niveli i gatishmërisë është rritur në të gjithë mekanizmin kombëtar të emergjencave civile, me të gjitha forcat në terren në gjendje gatishmërie për të mbrojtur jetën, pronën dhe pasuritë natyrore.
Sipas kreut të Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Haki Çako, zjarri ishte shuar dy ditë më parë, por era e fortë e ka riaktivizuar atë. Ai e cilësoi si sfidë mbajtjen e zjarrit nën kontroll për shkak të terrenit të vështirë. Operacionet për shuarjen e flakëve pritet të vijojnë me intensitet edhe në ditët në vijim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




