FOTOT- Qeveria miraton dizajnet e reja të dekoratave të shtetit, ja si do të duken Urdhri i Shqiponjës dhe i Skënderbeut

Ka hyrë zyrtarisht në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili pak ditë më parë ka miratuar zyrtarisht përshkrimet dhe specifikimet teknike të urdhrave dhe medaljeve të Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim, i publikuar tashmë edhe në Fletoren Zyrtare, standardizon dhe modernizon simbolet e larta të shtetit, duke ndjekur ligjin e ri për dekoratat. Miratimi përfshin dizajne të detajuara për Urdhrin Suprem të Shqiponjës, Urdhrin e Skënderbeut, dhe një sërë medaljesh të tjera, shkruan rtsh.al.
Gjerdani unik i Presidentit dhe simbolet e Urdhrit të Shqiponjës
Vendimi detajon me saktësi se si do të punohen dekoratat kryesore. Urdhri Suprem i Shqiponjës do të ketë një Gjerdan unik, i cili do t’i kalohet dorë më dorë çdo presidenti në detyrë si simbol i sovranitetit. Ky gjerdan, që do të prodhohet prej ari masiv ose metali shumë të çmuar, përbëhet nga shqiponja dykrerëshe me monogramin “RSH” në gjoks, e varur në një gjerdan të zbukuruar me shqiponja dhe degë dafine.
Shkallët e tjera të Urdhrit (Ylli i Madh, Oficeri i Madh, Komandarit, Oficeri dhe Kalorësi) do të mbajnë simbole kyçe si ylli me tetë cepa, shqiponjën dykrerëshe dhe, në disa raste, përkrenaren e Skënderbeut. Motoja zyrtare e Urdhrit është “BESË E BASHKIM”.
Urdhri i Skënderbeut, Urdhri i Lisit Akademik dhe medaljet e mirënjohjes
Dizajni i ri i Urdhrit të Skënderbeut përmban një yll pesëcepësh me portretin e Skënderbeut të vendosur në qendër, si dhe kurorën me gjethe lisi. Përkrenarja e Skënderbeut gjendet në pjesën e sipërme të tij. Ndërsa Urdhri i Lisit Akademik do të ketë një kurorë me gjethe lisi, e cila do të ndryshojë në material dhe smaltim në varësi të shkallës së urdhrit (Ylli i Madh, Komandarit, Kalorësi).
Përveç urdhrave, vendimi përshkruan gjithashtu detajet e medaljeve që jepen nga presidenti, kryeministri dhe ministrat. Mes tyre janë:
Medalja e Meritës Ushtarake dhe Medalja e Meritës Civile, me shqiponjën dykrerëshe dhe kurorë dafine.
Medalja “Nënë Tereza”, që paraqet një yll në formë rombi me portretin e Nënë Terezës në qendër.
Medalja “Pishtar i Demokracisë”, me simbolin e një flake të pashuar.
Medalja për Mirënjohje Publike, që jepet nga Kryeministri dhe ka një yll të stilizuar me shqiponjën në qendër.
Materialet e përdorura ndryshojnë në varësi të rëndësisë së medaljes, nga ari dhe argjendi deri te bronzi, shkruan rtsh.al. Për çdo dekoratë janë specifikuar gjithashtu lloji dhe ngjyrat e shiritave prej mëndafshi, si dhe forma dhe përmasat e tyre. Të gjitha dekoratat do të shoqërohen me certifikata zyrtare, duke siguruar një standard të unifikuar për të gjitha ceremonitë e nderimit.
Zbatimi i këtij vendimi i është ngarkuar Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



















