A po e forcon politika e Trump Evropën? Investorët ndërkombëtarë zhvendosin fokusin drejt Gjermanisë

Ekonomi | 1 vit më parë

Mes kërcënimeve për tarifa të larta ndëshkuese nga Uashingtoni, politika tregtare e Presidentit amerikan Donald Trump po krijon një mundësi të papritur për Evropën. Ndërsa investitorët ndërkombëtarë shfaqin skepticizëm ndaj ekonomisë amerikane, interesi i tyre po rritet ndjeshëm drejt kontinentit të vjetër, veçanërisht Gjermaninë, e cila shihet si një vend i sigurt investimi.

Skeptika ndaj ekonomisë amerikane po rritet. Të dhënat flasin qartë: që nga fillimi i vitit, indeksi i aksioneve gjermane DAX është rritur me gati 20%, ndërsa indeksi amerikan S&P 500 ka fituar vetëm rreth 7%. Kjo shoqërohet me kritika të theksuara nga institucione financiare si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe presidenti i Bankës Qendrore Gjermane, Joachim Nagel, të cilët paralajmërojnë për rrezikun e borxhit masiv amerikan prej mbi 36 trilionë dollarësh dhe trazirave në tregjet financiare.

Ekonomistët argumentojnë se tarifat tregtare nuk janë zgjidhja e duhur për problemet ekonomike të SHBA-së.

Në këtë kontekst, Evropa po shfaqet si një magnet i ri për investime. Drejtori i bankës shtetërore gjermane të zhvillimit, Stefan Wintels, vëren një ndryshim të paprecedentë në mentalitetin e investitorëve ndërkombëtarë, të cilët po kërkojnë më shumë mundësi në Evropë. Kjo atmosferë pozitive po tërheq edhe gjigantë globalë të financave, shkruan DW.

Për shembull, Blackstone, menaxheri më i madh i aseteve financiare në botë, ka njoftuar plane për të investuar deri në 500 miliardë dollarë në Evropë gjatë dekadës së ardhshme. Ndërkohë, gjigandi financiar Apollo Global Management ka bërë të ditur se synon të investojë deri në 100 miliardë dollarë vetëm në Gjermani gjatë 10 viteve të ardhshme, një shifër që e cilësoi si “të vështirë për t’u tejkaluar kudo në botë”.

Këto zhvillime tregojnë se mes trazirave gjeopolitike, Evropa dhe në veçanti Gjermania po pozicionohen si një destinacion tërheqës dhe i sigurt për kapitalet e huaja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme