LVV i bën ofertë konkrete NISMA-s, Kurti: Flasim për detajet kur të finalizohet marrëveshja

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka konfirmuar të hënën se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka ofruar një propozim konkret NISMA-s për të bashkëqeverisur. Kjo ofertë vjen si një përpjekje për të zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.
Në një deklaratë për media, Kurti tha se kishte zhvilluar një takim me kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limaj, ku ishte shprehur jo vetëm interesimi, por edhe gatishmëria e LVV-së për të bashkëpunuar. Ai theksoi se me këtë ofertë, synohet që gjithçka të finalizohet sa më shpejt dhe të evitohen vonesat e mëtejshme.
“Me kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limajn, kemi zhvilluar një takim pardje me ç’rast kemi diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë. VV ka shprehur jo vetëm interesimin por edhe bashkëpunimin e gatishmërinë për të bashkëqeverisur me NISMA-n dhe në përputhje me këtë kam bërë edhe ofertë konkrete në mënyrë që gjithçka të mbyllet sa më shpejtë dhe ta kemi konstituimin e Kuvendit dhe qeverinë e re”, ka thënë Kurti.
Megjithatë, Kurti shtoi se detajet e ofertës do të bëhen publike vetëm pasi bisedimet të kenë rezultuar me një marrëveshje përfundimtare.
Kjo deklaratë vjen në ditën kur u shënua dështimi i 50-të i seancave konstituive të Kuvendit të Kosovës, një proces që ka mbetur në vendqëndrim që nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




