Ministri i Jashtëm iranian: Pasurimi bërthamor do të vazhdojë, por jemi të hapur për bisedime

Ministri i Jashtëm iranian, Seyyed Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani nuk mund të heqë dorë nga programi i tij i pasurimit të uraniumit, i cili u dëmtua rëndë sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit muajin e kaluar.
“Tani është ndaluar sepse, po, dëmet janë serioze dhe të rënda, por padyshim, ne nuk mund të heqim dorë nga pasurimi ynë sepse është një arritje e shkencëtarëve tanë, dhe tani, më shumë se kaq, është një çështje krenarie kombëtare”, tha Araghchi për “Fox Neës” në një intervistë të transmetuar të hënën.
Araghchi tha në fillim të intervistës se Irani është “i hapur për bisedime” me Shtetet e Bashkuara, por se ato nuk do të jenë bisedime të drejtpërdrejta “për momentin”.
“Nëse SHBA-ja po kërkon një zgjidhje të favorshme për të dyja palët, jam gati të angazhohem me ta. Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo masë ndërtimi besimi të nevojshme për të vërtetuar se programi bërthamor i Iranit është paqësor dhe do të mbetet paqësor përgjithmonë, dhe se Irani nuk do të përpiqet të ketë armë bërthamore, dhe në këmbim, ne presim që ata të heqin sanksionet e tyre. Pra, mesazhi im për Shtetet e Bashkuara është që le të shkojmë drejt një zgjidhjeje të negociuar për programin bërthamor të Iranit”, vazhdoi ministri i Jashtëm.
Teherani dhe Uashingtoni kanë zhvilluar bisedime mbi programin bërthamor në fillim të këtij viti, shtatë vjet pasi Trump tërhoqi SHBA-në nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), të cilin Teherani e nënshkroi me disa fuqi botërore në vitin 2015.
Sipas paktit, Irani hapi vendet bërthamore të vendit për inspektim gjithëpërfshirës ndërkombëtar në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Vendimi i Trumpit për të tërhequr SHBA-në nga marrëveshja erdhi pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi Iranin se po ndjek një “program të fshehtë bërthamor”.
Irani prej kohësh ka pohuar se programi i tij i pasurimit bërthamor është rreptësisht për qëllime civile.
SHBA-të dhe Irani u angazhuan në bisedime kohët e fundit për të arritur një marrëveshje të re, por këto negociata u ndërprenë kur Izraeli nisi sulme të papritura në të gjithë Iranin më 13 qershor, duke goditur objektet ushtarake dhe bërthamore.
Më shumë se 1,000 njerëz u vranë në Iran përpara se të hynte në fuqi armëpushimi më 24 qershor.
SHBA-të iu bashkuan gjithashtu Izraelit në sulmin ndaj objekteve bërthamore iraniane, me Pentagonin që më vonë pretendoi se e kishte vonuar programin bërthamor të vendit me një deri në dy vjet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




