Firmoset marrëveshja për parkun fotovoltaik në Belsh, Balluku: Shqipëria, një nga vendet më tërheqëse për energjinë e rinovueshme
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja e kredisë dhe grantit për financimin e projektit për ndërtimin të parkut fotovoltaik në zonën e Belshit.
Në një konferencë për mediat, Balluku shpjegoi se Shqipëria konsiderohet një nga vendet më tërheqëse për energjinë e rinovueshme dhe tashmë “KESH përtej sektorit privat ka marrë rolin që i takon dhe ka nisur një sërë projektesh”
“Në këtë kuadër vjen një tjetër projekt, sot do të firmosim një marrëveshje për financimin nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim të një projekti për park fotovoltaik që do ofrojë energji për 16 mijë abonentë dhe do të reduktojë 15 mijë ton CO2 çdo vit”, tha Balluku.
Sipas Ballukut, ky projekt është ngjizur në periudhën e krizës energjetike, kur Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit e “BE hapën një thirrje për projekte të dedikuara për ngritjen e kapaciteteve për projekte të rinovueshme.”
“Kjo thirrje rezultoi e suksesshme për ne, sepse arritëm të marrin një mbështetje granti, 9.58 milionë euro, që është 23% e vlerës së investimeve, ndërkohë e shoqëruar nga një hua nga BERZH, që është ekuivalent në 30 milionë euro. BERZH, që tashmë partner i konsoliduar në sektorin tonë energjetik. Projekti ka afate të mire caktuara, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, do të përgatitemi për thirrjen ndërkombëtarë për ndërtimin e këtij parku”, u shpreh Balluku.
Nga ana e tij, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato theksoi se BE është partneri i Shqipërisë në procesin e tranzicionit energjetik.
Sipas tij, BE ka angazhuar 77 milionë euro për Shqipërinë duke nxitur investimet në sektorin e energjisë.
“Bashkimi Evropian është partner i Shqipërisë në procesin e tranzicionit energjetike, energjia është vetëm një pjesë e partneritetit të gjerë të BE-së në Shqipëri që synon të mbështesë agjendën e gjelbër. BE e mbështet Shqipërinë në kuadrin e investimeve në Ballkanin Perëndimor. BE ka angazhuar 77 milionë euro për Shqipërinë duke nxitur në fakt deri 4.7 miliardë euro në sektorin publik të investimeve në energji që përfiton peshë më të madhe”, deklaroi Gonzato.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




