Shqipëria merr ftesën për Grupkapitullin 5, Spiropali: Kuvendi do mbështes objektivin strategjik për anëtarësim në BE deri në 2030

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Europian për të dhënë “dritën jeshile” Shqipërisë për të hapur grupkapitullin e fundit negociues.
Në një reagim zyrtar, Spiropali e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm që përmbyll procesin e çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian.
Ajo njoftoi se Konferenca Ndërqeveritare do të mbahet së shpejti, duke zyrtarizuar këtë fazë të re në rrugëtimin europian të Shqipërisë.
“Kuvendi do të vijojë të mbështesë maksimalisht paraqitjen e Pozicionit Negociues dhe përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm rural, modernizimin e bujqësisë dhe forcimin e kohezionit social e territorial,” u shpreh Spiropali.
Ajo theksoi se diplomacia parlamentare do të intensifikohet, në funksion të arritjes së objektivit strategjik “Shqipëria 2030 në BE”.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi sot Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




