SPAK: Kapen mbi 6 ton drogë me vlerë 411 milionë euro, 16 persona nën hetim

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit ka goditur një rrjet ndërkombëtar droge duke vënën nën hetim 16 persona. Mbi 6 ton lëndë narkotike, me një vlerë të përllogaritur tregu prej rreth 411 milionë euro, janë sekuestruar në kuadër të hetimit të një grupi të strukturuar kriminal me shtrirje në disa shtete të BE-së dhe në Britaninë e Madhe.
16 persona janë vënë nën hetim, ndërsa 7 prej tyre janë arrestuar me urdhër të Gjykatës së Posaçme. Sipas SPAK episodet e trafikut të drogës të kryer nga ky grup kriminal janë dokumentuar gjatë periudhës 2020–2021 në disa shtete të BE dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Rrjeti kriminal kishte ngritur një skemë të sofistikuar trafikimi të kokainës, me origjinë nga Santa Marta (Kolumbi) dhe Ekuadori, përmes porteve si Antwerp, Rotterdam dhe Algeciras, e më tej drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë.
Drogat fshiheshin në ngarkesa me drurë, banane apo kakao, për të shmangur kontrollin doganor. Në operacion përfshiheshin individë me role të ndara: drejtues dhe financues, organizatorë të logjistikës, kontraktues transporti dhe shpërndarës në vendet e destinacionit.
“Transporti i drogës karakterizohej nga metoda të sofistikuara fshehjeje dhe një logjistikë e mirëorganizuar ndërkombëtare. Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si për shembull fshehje në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Rotterdam), duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.
Organizimi i grupit ishte hierarkik dhe i ndarë në role të specializuara. Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike. Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve, duke lidhur burimin e drogës në Amerikën Latine me tregjet evropiane përmes një zinxhiri të sofistikuar ndërmjetësimi. Shumica e tyre jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Poshtë tyre vepronin bashkëpunëtorë që siguronin logjistikën dhe transportin. Këta persona gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë – shpesh shtetas rumunë – dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao. Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte një tjetër hallkë e grupit – ajo e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin, dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Këta ishin krahu ekzekutiv i rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Evropën Perëndimore. Në origjinën e ngarkesave, në vendet e Amerikës Latine, qëndronin persona të paidentifikuar që shërbenin si pika kontakti. Ata ishin përgjegjës për sigurimin, ambalazhimin dhe dërgimin e drogës drejt porteve evropiane”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Komunikimi mes anëtarëve bëhej përmes aplikacioneve të koduara si Sky/ECC, duke përdorur pseudonime dhe kode PIN. Për pagesat, përdorej sistemi informal Hawala, i cili shmang kanalet tradicionale bankare dhe e bënte të vështirë ndjekjen e parave.
Ky operacion i SPAK u finalizua në bashkëpunim me agjencitë partnere evropiane Europol, Eurojust dhe Policinë e Shtetit. Prokurorët Altin Dumani dhe Adnan Xholi theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në zbulimin e rrjetit dhe sigurimin e provave për përfshirjen e të dyshuarve në trafikun ndërkombëtar të drogës.
“Struktura e këtij grupi dhe shkalla e operacionit dëshmojnë kapacitetin dhe rrezikshmërinë e grupeve kriminale shqiptare që operojnë në shkallë ndërkombëtare,” – u shprehën prokurorët.
Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar edhe sasi të mëdha pasurish të dyshuara si të ardhura nga veprimtaria kriminale: automjete luksoze, orë të shtrenjta, para cash, armë zjarri, dokumente financiare dhe pajisje teknologjike të avancuara.
Arrestimet:
Më 25 korrik 2025 u ekzekutuan masat e sigurisë ndaj 7 shtetasve, 6 prej të cilëve u arrestuan menjëherë: A. H. K. H. E. N. E. A. P. D. I. Ll.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej tyre, A. H., u gjetën 3 armë zjarri të mbajtura pa leje, duke çuar në arrestimin e tij në flagrancë. Ndërkohë, një tjetër i dyshuar, D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim.
Nga kontrollet e ushtruara në banesa dhe automjete, janë sekuestruar:
43,470 euro dhe 5,000 franga zvicerane
3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63
1 skaf luksoz, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar
3 pistoleta me municion
2 ora luksoze, Rolex dhe Richard Mille
16 celularë, shumica të markave iPhone dhe Samsung
19 karta bankare ndërkombëtare
Dokumente financiare nga bankat në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama
1 dron, 8 hard disqe, 2 radio komunikimi
Dokumente identifikimi dhe prona nga disa shtete evropiane
Evidenca kryesore të trafikut të drogës:
Kokainë
Spanjë – 400 kg (shkurt 2020)
Belgjikë – 989.1 kg (prill 2020)
Francë – MB – 250 kg (prill 2020)
Holandë – 2000 kg (qershor 2020), vlera mbi 151 milionë euro
Holandë – 1484 kg (tetor 2020)
Hashash
Rimini, Itali – 275 kg (korrik 2020)
Bari, Itali – 400 kg (mars 2021)
Algeciras, Spanjë – 1442 kg (mars-shtator 2020)
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




