Zjarret- Në malin e Shashicës në Vlorë, ndërhyjnë dy avionë zjarrfikës nga Franca dhe Kroacia. Situatë kritike në fshatin Markat në Konispol

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë malin e Shashicës në Vlorë, duke alarmuar autoritetet vendore. Për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja nga toka është e kufizuar, çka ka detyruar përdorimin e mjeteve ajrore.
Dy avionë zjarrfikës, nga Italia dhe Kroacia, po kryejnë hedhje të vazhdueshme uji ne territorin e prekur nga zjarret ndërkohë qe flakët janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar banesat pranë fshatit Kaninë.
Forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile ndodhen në terren, duke ndjekur nga afër situatën dhe duke punuar për të vënë nën kontroll zjarret.
Ndërkohë, edhe në fshatin Markat, në Bashkinë Konispol, një vatër e madhe zjarri është aktivizuar gjatë ditës së sotme duke shkaktuar djegien e një banese dhe duke rrezikuar të tjera objekte të banuara në zonë. Banorët janë larguar me urgjencë nga shtëpitë, ndërsa përpjekjet për shuarjen e flakëve vazhdojnë.
Aktualisht në terren janë angazhuar zjarrfikësja e Konispolit, e Finiqit dhe ajo e Sarandës, si dhe dy mjete të Forcave të Armatosura.
Po ashtu, mësohet se në ndihmë kanë shkuar efektivë të Policisë së Sarandës. Për shkak të terrenit të vështirë, mjetet zjarrfikëse nuk arrijnë të depërtojnë në lartësinë e kodrave, dhe shuarja po kryhet me mjete rrethanore.
Zjarri po vijon të përhapet për shkak të erës dhe temperaturave të larta, ndërsa dëmet janë të konsiderueshme. Autoritetet kanë apeluar për bashkëpunim nga banorët dhe për largimin e përkohshëm të të moshuarve, fëmijëve dhe të sëmurëve nga banesat.
Edhe në Kaninë zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar lagjen “Limaj”, që ndodhet në pjesën veriore të kalasë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




