Zjarret, Vengu: Në Poliçan flakët kërcënojnë disa fshatra. Në Piqeras, Borsh dhe Selenicë po punohet që mos të preken zonat e banuara

Aktualitet | 1 vit më parë

Situata nga zjarret në vend duket kritike, teksa në të gjithë territorin numërohen 24 vatra aktive. Shifra u bë me dije nga Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili tha se në terren ndodhen forca të shumta dhe se po punohet që të shmanget rreziku për zonat e banuara. Më kritike situata paraqitet në qarqet Vlorë, Dibër dhe Berat.

Vengu tha se në Poliçan, një vatër e zgjeruar zjarri rrezikon disa fshatra dhe po ashtu edhe në Piqeras, Borsh dhe Selenicë zonat e banuara rrezikohen nga flakët. Ministri theksoi se të gjitha forcat do të mbeten në gatishmëri përgjatë gjithë natës.

 “3 qarqet më të prekura janë Vlora me më shumë se 10 vatra aktive, Dibra ku patëm një situatë komplekse në Bulqizë, por fatmirësisht tani situata paraqitet në kontroll. Kemi vatra aktive në Lurë dhe Zallgjoçaj. Kemi edhe të gjithë qarkun e Beratit që është prekur gjerësisht nga vatrat e zjarrit. Kemi mundur  ta mbajmë nën kontroll situatën. Aktualisht jemi përqëndruar në Poliçan, kemi një vatër aktive që ka kërcënuar disa fshatra. Në zonën e Piqerasit, Borshit, Selenicës ku duam të parandalojmë që zjarri t’i afrohet zonave të banuara. Kemi një përqendrim forcash sa i përket infrastrukturës kritike dhe zonave të banuara. Do vazhdojmë të qëndrojmë në gatishmëri gjatë gjithë natës”, tha Vengu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme