Ushtria hesht luftimet në Gazë për të lejuar ndihmat. Agjencitë humanitare: Izraeli po bën shumë pak

Izraeli ka bërë të ditur se po vendosen rrugë të sigurta për të lejuar furnizimet e urgjencës në Gazë mes protestave ndërkombëtare në rritje mbi urinë atje.
Megjithëse janë lehtësuar disa pika, agjencitë e ndihmës humanitare kanë paralajmëruar vazhdimisht se kjo do të bëjë pak për të lehtësuar katastrofën humanitare.
Nga ana tjetër, më shumë palestinezë u raportuan të vrarë duke u përpjekur të arrinin në një qendër të shpërndarjes së ndihmës pranë qytetit të Gazës.
Ndërkaq, më herët, kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do të lejojë furnizimet në Gazë pa marrë parasysh se si shkon lufta.
“Ne do të eliminojmë Hamasin. Për të përfunduar këtë qëllim, dhe gjithashtu lirimin e pengjeve tona, ne po përparojmë në luftime dhe negociata. Në çdo rrugë që zgjedhim, do të duhet të vazhdojmë të lejojmë hyrjen e furnizimeve minimale humanitare. Ne e kemi bërë këtë deri më tani”, tha Netanjahu.
Javën e kaluar, në mes të akuzave se Izraeli po kryen gjenocid në Gazë përmes urisë Netanyahu rriti në mënyrë drastike sasinë dhe kanalet e ndihmës që hynin në Gazë, një largim i mprehtë i politikës së Izraelit që prej muajit mars.
Kryeministri akuzoi gjithashtu OKB-në se po gënjen për Izraelin: “OKB thotë se ne nuk po lejojmë që furnizimet humanitare të hyjnë në Gazë, por në fakt ndodh e kundërta. Ka konvoje të siguruara. Por sot është zyrtare. Nuk do të ketë më justifikime. Ne do të vazhdojmë të luftojmë, do të vazhdojmë të veprojmë derisa të arrijmë të gjitha qëllimet tona të luftës — deri në fitoren e plotë.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




