Inaugurohet rruga e re Bulqizë–Librazhd, Rama: Një korridor i ri lindor që nxit zhvillimin ekonomik e turistik

Inaugurohet aksi i ri rrugor prej 47 kilometrash që lidh Bulqizën me Librazhdin përmes segmentit Ura e Çerenecit–Zgosht. Ky aks i ri do të sjellë një ndikim të ndjeshëm në zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe turistik të zonës.
Kryeministri Edi Rama, i cili ka shpërndarë pamjet nga ky aks i ri, deklaroi se kjo rrugë jo vetëm që forcon lidhjen mes dy qarqeve, Dibrës dhe Elbasanit, por krijon një korridor të ri lindor që afron më shumë bukuritë natyrore dhe potencialin e turizmit malor me pjesën tjetër të vendit.
“Me rrugën e re Bulqizë–Librazhd, aksi Ura e Çerenecit–Zgosht, që jo vetëm lidh Dibrën me Elbasanin, por krijon një korridor të ri lindor duke sjellë më afër bukuritë natyrore dhe pasuritë e turizmit malor, nxit ekonominë rurale dhe i jep jetë sipërmarrjeve të reja bujqësore e turistike”, shkruan Rama.
Projekti pritet të lehtësojë qarkullimin për komunitetin, fermerët dhe bizneset lokale, si dhe të rrisë vizitat në destinacione të reja turistike në Shqipërinë lindore, si Parku Kombëtar Shebenik–Jabllanicë në Librazhd, apo zonat historike dhe kulturore të Dibrës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




