Lufta kundër piraterisë online: AMA vendos gjobë 5 milionë lekë, bën denoncimin në Prokurori dhe ndjek shkelësin deri në Gjermani e Rumani

Një rast i ri piraterie online është denoncuar sot nga kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.
Duke iu referuar subjektit të fundit të paligjshëm, të konstatuar, dënuar dhe denoncuar nga ekipet e inspektimit të Autoritetit, Krasniqi ka treguar historikun e gjurmimit dhe bllokimin e një rasti të kapur fillimisht në Kukës, si transmetues i paligjshëm IPTV, e me tej i transferuar në servera të tjerë nëpër Europë.
“Lufta kundër Piraterisë fitohet me partneritet dhe punë në skuadër”, ka shkruar në rrjetet e veta zyrtare sot, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.
Ajo ka sjellë në vëmendjen e publikun rastin e një subjekti IPTV, i paligjshëm, i kapur në Kukës, i cili operonte në rrjetin e brendshëm lokal.
“Subjekti u ndëshkua në përputhje me ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive”, i ndryshuar. Serveri u sekuestrua dhe ndaj shkelësit u mor masa e ndëshkimit me gjobë 5 milion lekë. Pak ditë më vonë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar të Policisë së Shtetit, i njëjti subjekt, i shfaqur tashmë si OTT pirat dhe që aksesohej nga një IP publike shqiptare, u bllokua sërish. Domaini iu dërgua AKEP për mbyllje dhe rasti i tij u referua nga specialistët e AMA-s, në Prokurori”.
Por duket se teknologjia e ka vështirësuar punën e inspektorëve të AMA-s. Mundësia për të transmetuar nëpërmjet serverave jashtë Shqipërisë, ka shtuar edhe mundësitë e shkelësve të të drejtave të transmetimit, në përpjekjet e tyre për të operuar në tregun shqiptar.
Pas sekuestrimit dhe dënimit në Shqipëri, subjekti i paligjshëm e ka vazhduar aktivitetin e vet, në shkelje të të drejtave të transmetimit, duke përdorur, fillimisht serverë të vendosur në Gjermani, e pas bllokimit aty, edhe në Rumani.
“Falë bashkëpunimit të menjëhershëm me partnerët ndërkombëtarë, ku përmend Hetzner Online GmbH, në Gjermani, i njëjti subjekt shqiptar u bllokua sërish dhe aktiviteti i paligjshëm u ndalua”, ka shkruar Krasniqi.
“Ndërsa sot, pas konstatimit nga ekipet e AMA-s, të të njëjtit subjekt, që operon mbështetur në servera rumunë, kemi lidhur kontaktet me NexonHost, dhe jemi në pritje që edhe kjo lidhje e re të pritet”.
Kryetarja e AMA-s i ka bërë thirrje publikut të denoncojë pranë Autoritetit çdo rast të ngjashëm piraterie.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




