Agjencia e Zhvillimit të Territorit me kompetenca të reja, nga monitorimi me kamera i ndërtimeve, deri te promovim i arkitekturës moderne

Aktualitet | 1 vit më parë

Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) do të ketë një rol më të zgjeruar në mbikëqyrjen e ndërtimeve dhe promovimin e zhvillimit urban në Shqipëri. Tashmë ka hyrë në fuqi edhe vendimi i qeverisë, që shton kompetenca të reja për këtë agjenci, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ky ndryshim në vendimin ekzistues të vitit 2015, i jep AZHT-së detyra shtesë thelbësore, të cilat pritet të forcojnë transparencën dhe standardet në sektorin e ndërtimit dhe urbanistikës.

Detyrat e reja të AZHT-së do të lidhen me monitorimin e lejeve të ndërtimit. AZHT do të kryejë monitorimin e detajuar të lejeve të ndërtimit të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU). Kjo do të bëhet përmes kontrolleve në terren dhe, veçanërisht, përmes sistemeve të kamerave, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Agjencia do të përgatisë raporte për KKTU-në dhe autoritetet e tjera përgjegjëse, duke siguruar një mbikëqyrje më të fortë të zbatimit të lejeve.

Promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe arkitekturës moderne. Agjencia do të organizojë aktivitete të ndryshme si ekspozita, panaire dhe veprimtari të tjera promocionale, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht. Qëllimi është promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm të territorit dhe integrimi i arkitekturës moderne e inovative në zhvillimin urban.

AZHT do të ketë gjithashtu mundësinë të financojë ose bashkëfinacojë projekte që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e territorit dhe promovimin e arkitekturës moderne dhe inovative. Kjo hap rrugën për investime në nisma që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës dhe estetikës urbane.

Me këto kompetenca të reja, Agjencia e Zhvillimit të Territorit pritet të luajë një rol më aktiv dhe thelbësor në garantimin e një zhvillimi urban të planifikuar, transparent dhe cilësor në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme