Ter Stegen zgjedhje e tretë në Barcelonë, Neuer i hap rrugën rikthimit në Kombëtare, Nagelsmann e refuzon: Marc titullar në Botëror!

Mëngjesin e ditës së sotme disa redaksi lajmesh bënë me dije se Manuel Neuer ishte gati që të rikthehej në Kombëtare për të udhëhequr Gjermaninë në Kupën e Botës 2026. Sipas medieve të ndryshme portieri i Bayern ishte treguar i gatshëm që të hiqte dorë nga vendimi i marrë pak muaj më parë, kur vendosi të largohej nga Gjermania, pas dëmtimit të Marc-André ter Stegen. Por një skenar i tillë duket se është hedhur menjëherë poshtë nga komisari teknik i Gjermanisë, i cili tha sot se po programonte ekipin e Botërorit me portierin e Barcelonës si titullar.
“Në planet e mia gjithçka është e qartë, Marc do të kthehet në dhjetor nga dëmtimi, pastaj do të luajë dy ndeshjet në mars, dhe gjithashtu në qershor, dhe pastaj do të luajë në Kupën e Botës”, tha Nagelsmann, pas punimeve në Kongresin Ndërkombëtar të Trajnerëve në Lajpcig.
Në fjalën e tij, 38-vjeçari nuk u ndal gjatë në situatën delikate që po kalon ter Stegen. Siç dihet portieri i Barcelonës nuk është titullar pasi vetëm pak ditë më parë Hansi Flick i ka komunikuar se është zgjedhja e tretë. 32-vjeçari, në kundërshtim të hapur me klubin, vendosi që të operohej në shpinë dhe rikthimi i tij në fushë nuk do të jetë përpara muajit dhjetor.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




