Drafti për Kodin e ri Penal, Dumani: Nevojiten ndryshime, SPAK nuk u përfshi në hartimin e tij
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka shprehur rezerva mbi draftin e Kodit të ri Penal.
Në një takim me gazetarët ai vuri në pikëpyetje faktin nëse nevojitet një Kod i ri apo thjesht duhen bërë ndryshime në disa nene të caktuara. Dumani deklaroi se ndryshimet të cilat do duhej të reflektoheshin në Kodin Penal lidhen kryesisht me dënimet e rënda dhe dënimet për drogat sipas llojit dhe sasisë së tyre.
“Unë mendoj se duhen bërë disa ndryshime në Kodin Penal për dënimet e rënda. Mendoj për shembull që duhet bërë diferencim për ata që kapen me droga në bazë të sasisë dhe llojit të drogës”, deklaroi Dumani.
Kryeprokurori i SPAK-ut u shpreh se struktura e tij nuk është përfshirë në hartimin e draftit për Kodin e ri Penal.
“Draftin ende nuk e kemi marrë zyrtarisht. Nuk jemi marrë me hartimin e tij. Në momentin që do ta marrim, prokurorët dhe stafi do ta analizojnë dhe do mbajmë qëndrimin tonë”, tha ai, ndërsa e mbështeti qëndrimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, për draftin aktual.
Pak ditë më parë u prezantua drafti i Kodit të ri Penal, i hartuar nga një grup ekspertësh dhe i udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi. Një nga risitë kryesore të këtij drafti është ndarja e qartë e veprave penale në krime dhe kundërvajtje penale, duke përcaktuar kritere të detajuara për dallimin mes tyre, përfshirë kufijtë maksimalë të dënimeve dhe rëndësinë e bashkëpunimit kriminal.
Drafti sjell edhe konceptin e “krimit shumë të rëndë”, i cili do të përcaktohet si çdo krim me dënim mbi dhjetë vjet burgim ose i kryer nga organizata kriminale, pavarësisht masës së dënimit. Kjo ndarje pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën e vuajtjes së dënimit dhe caktimin e masave plotësuese.
Krimet zgjedhore, Dumani: Kemi gjetur prova të rëndësishme
Duke u ndalur më tej te denoncimet për krimet zgjedhore, Dumani bëri me dije se janë regjistruar 193 kallëzime për krime zgjedhore, 53 nga të cilat nga subjektet politike. Ai shtoi se për 39 prej kallëzimeve vijojnë hetimet, ndërsa janë gjetur prova të rëndësishme nga 17 kontrolle.
“Ka qenë një periudhë intensive për institucionin nga procedimet penale që ka pasur në të shkuarën dhe nga procedimet që janë regjistruar këtë vit. Fokusi kryesorë është krimi zgjedhorë. Do thoni pse kaq vonë? Kaq vonë, sepse vetëm ditët e fundit KQZ-ja i shpërndau mandatet. Janë depozituar 193 materiale: 56 kallëzime nga partitë, 35 nga Policia, 1 material nga Burgjet, 80 kallëzime nga qytetarë, 5 nga prokuroritë e rretheve; 43 procedime të regjistruara”, tha Dumani.
Dumani komenton të ardhmen e SPAK, “21 Janarin” dhe pikëpyetjet e Veliajt
Në takimin me gazetarët, Dumani foli edhe për të ardhmen e SPAK-ut, duke qenë se mandati i tij personal trevjeçar pritet të mbarojë në fund të këtij viti dhe po tre vite të tjera jetë parashikon Kushtetuta edhe për vetë institucionin, deri në 2028-ën. Ai tha se jetëgjatësia më tej e SPAK-ut do të varet nga vullneti i politikës dhe i partnerëve ndërkombëtarë.
“Nuk jam këtu të bëj parashikime. Ishte vullnet i politikës që u krijua SPAK-u. Nëse politika vendos që nuk i nevojitet më SPAK apo do të reduktojë kompetencat, ne jemi këtu të bëjmë detyrën siç na e parashikon ligji. SPAK u krijua edhe si vullnet i partnerëve ndërkombëtarë dhe ne jemi partnerët më të besuar të organeve ligjzbatuese në Europë e kudo. Kjo është falë punës së SPAK-ut,” u shpreh Dumani.
Duke u ndalur te disa nga dosjet që ndodhen në duart e hetuesve speciale, kryeprokurori i SPAK-ut nuk pranoi të japë hyjë në detaje, por komentoi se puna për to vijon pa ndërprerje.
Për sa i përket dosjes së “21 Janarit”, ai tha se çështja është në fazën e hetimit paraprak. “SPAK-u ka marrë në konsideratë edhe vendimin e Gjykatës së Lartë dhe të Strasburgut. Prokurori do të vendosë si do të hetojë dhe radhën si do të merren në pyetje personat,” sqaroi Dumani.
Sa i përket shtatë pyetjeve të kryebashkiakut Erion Veliaj, të bëra një ditë më parë, Dumani tha se SPAK-u u përgjigjet të pandehurve vetëm nëse pretendimet e tyre kalojnë nëpër kanalet zyrtare, si gjykata. Ai tregoi se ka një fraksion hetimor për Veliajn, që po heton disa fakte penale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



