KAS kërkesë Celibashit: Heto numëruesit që deformuan rezultatet e 11 majit!
Me një kërkesë që mban datën 30 korrik 2025, me numër protokolli 57/45, pesë anëtarët e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) i janë drejtuar me një kërkesë të posaçme Komisionerit Shtetëror, Ilirjan Celibashi.
Pesë anëtarët kërkojnë hetim administrativ nga Komisioneri Shtetëror dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pas përfundimit të rinumërimit të votave. Sipas anëtarëve të KAS-it, rinumërimi dhe rivlerësimi i votave që u krye nga administrata e KQZ-së përfundoi duke prodhuar tabela të reja rezultati për zonat zgjedhore, si për subjektet, ashtu edhe për kandidatët që iu nënshtruan votimit parapëlqyes.
Këto tabela, thotë KAS-i, u miratuan nga ne me vendimet përkatëse, të cilat tashmë janë lënë në fuqi edhe nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor.
Pasi ka përfunduar i gjithë procesi i ankimimit në të gjitha shkallët që kërkon Komisioni Qendror dhe Kodi Elektoral, anëtarët e KAS-it thonë se rinumërimi dhe rivlerësimi i votave në zonat zgjedhore të Durrësit, Fierit, Tiranës dhe Dibrës është i rëndësishëm, pasi provoi në disa raste mospërputhje të theksuara midis tabelave të rezultatit të grupeve të numërimit nga KZAZ-të respektive dhe gjendjes faktike të fletëve të votimit që u gjetën në kuti.
Këto mospërputhje, sipas anëtarëve të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve, duhet të hetohen më tej për të identifikuar anëtarët pjesë të grupeve të numërimit të votave që kanë uar në këto rezultate të deformuara.
Në përfundim të kërkesës zyrtare drejtuar Komisionerit Shtetëror, anëtarët e KAS-it, të cilët kanë firmosur dokumentin, thonë se hetimi administrativ do të mund të identifikojë rastet që përbëjnë kundërvajtje administrative apo rastet që ngrenë dyshimin e arsyetuar, sipas tyre, për vepra të caktuara penale që lidhen me fushën e zgjedhjeve.
Gazetare: Sonila Agostini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



