Ndryshimet në ligjin e bashkëpronësisë në ndërtesa rritin transparencën dhe sigurinë e jetës në komunitet
Një përcaktim më i qartë i hapësirave të përbashkëta në ndërtesa, përcaktim i detajuar i detyrave të administratorit dhe zgjidhja e ngërçit në rastet kur banorët nuk arrijnë të zgjedhin një administrator. Këto janë disa nga risitë kryesore që sjellin ndryshimet në ligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”.
“Është një projektligj në momentin e duhur. Rregullat që kemi pasur deri tani kanë qenë të vjetra dhe jo të implementuara 100%”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Pasurive të Paluajtshme, Reinaldo Pipiria.
Për z. Pipiria duhet pasur kujdes me përcaktimin e rolit dhe funksioneve të profesionit të administratorit në pallate.
“Ky vendim duhet parë me kujdes në implementim, pasi nëse i japim kaq shumë të drejta duhet të kemi një filtër shumë të mirë të individëve që ushtrojnë këtë profesion. Ajo që ka sjellë problem për komunitetin tonë ka qenë prezenca e administratorëve të pamonitoruar, të cilët në një pjesë të mirë të rasteve e ushtrojnë në mënyrë të paligjshme profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”, tha ai.
Ndryshimet e reja sjellin një situatë më transparente në lidhje me individët, të cilët kërkojnë të blejnë një pronë të re.
“Nuk do të ketë ulje të kërkesës, por një ndërgjegjësim që kur e blen një pasuri, sigurohuni që i mbulon të gjitha kostot shoqëruese, në të kundërt do të keni vështirësi kur ta rishisni”, tha z. Pipiria.
Për Kryetarin i Shoqatës së Pasurive të Paluajtshme, përmirësimet ligjore, krahas garantimit të mirëmbajtjes së ndërtesave, rritin sigurinë dhe përmirësojnë jetën në komunitet.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




