Policia e Shtetit përkujton Dëshmorin e Atdheut, Arben Zylyftari, 25 vjet pas rënies në detyrë

Uncategorized | 1 vit më parë

Në ambientet e Akademisë së Sigurisë u zhvillua të enjten një ceremoni përkujtimore për ish-drejtuesin e lartë të Policisë së Shtetit, Arben Zylyftari, i cili humbi jetën 25 vjet më parë në krye të detyrës.

Në këtë ceremoni morën pjesë figura të larta të Policisë së Shtetit, si zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga, dhe drejtori i Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro, si dhe familjarë dhe të afërm të Dëshmorit të Atdheut.

Gjatë fjalëve të tyre, drejtuesit Bizhga dhe Mandro vlerësuan lart veprën e Arben Zylyftarit, duke theksuar sakrificën e tij gjatë përballjes me krimin. Ata u shprehën se kujtimi i tij do të ruhet ndër breza dhe emri i tij do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së Policisë së Shtetit.

Familjarët e Zylyftarit, bashkëshortja dhe djali i tij, kujtuan me mall dhe respekt atë. Ata shprehën mirënjohje për Policinë e Shtetit që kujton dhe nderon vazhdimisht ata që dhanë jetën për të mirën e vendit.

Ceremonia përfundoi me vendosjen e kurorave me lule në bustin e Dëshmorit të Atdheut Arben Zylyftari, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të thellë.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme