Ikonat shqiptare udhëtojnë drejt Francës, ekspozitë me mbi 45 vepra nga Muzeu i Artit Mesjetar, në Chambery
Një ekspozitë e veçantë me vepra ikonografike nga Fondi i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë do të prezantohet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambery të Francës, si pjesë e një bashkëpunimi kulturor mes dy vendeve.
Më shumë se 45 ikona të përzgjedhura do të ekspozohen për publikun francez dhe ndërkombëtar nga maji deri në tetor 2026, për t’u zhvendosur më pas në një tjetër qytet francez deri në mars 2027.
“Janë përzgjedhur 45 vepra që i përkasin periudhave të ndryshme. Disa prej tyre janë nga ekspozita e përhershme, disa nga fondet tona dhe disa në administrim të Kishës Ortodokse”, tha Fjoralba Prifti, drejtore e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.
Prifti thekson se ky është një projekt i një rëndësie të veçantë për muzeun dhe për artin shqiptar në tërësi, pasi për herë të parë një përzgjedhje ikonash të çmuara udhëton jashtë vendit për një prezantim të mirëfilltë ndërkombëtar.
“Është koha tashmë që trashëgimia jonë kulturore të ketë një promovim jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar, dhe më së miri në shtetin e artit të kulturës, siç është Franca. Të ekspozojmë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.”, shtoi ajo.
Me një fond prej mbi 8200 objektesh muzeale, nga të cilat 6400 janë ikona, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë mban koleksionin më të madh të ikonave në botë, duke e afirmuar Korçën si një qendër të rëndësishme të artit mesjetar në Europën Juglindore.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




