Kontrollet për kuponët tatimorë në bujqësi, ekspertët: Duhet riparë skema e TVSH-së, fermerët pa informacion
Mungesa e informimit paraprak dhe reagimi i vonuar i Drejtorisë së Tatimeve jo vetëm krijoi kakofoni tek fermerët dhe shitësit ambulator, gjatë kontrolleve të ditëve të fundit për kuponët tatimorë, por hapi sërish debatin rreth rishikimit të skemës së TVSH-së në bujqësi.
Sipas ekspertit, Alban Zusi, diferenca aktuale e TVSH- së ka krijuar ngërç tek fermerët dhe grumbulluesit.
“Fermeri ndonëse paguan TVSH kur blen inputet e tij, por duke mos qenë subjekt i TVSH-së, por fizik, ai këtë TVSH nuk e akumulon dot dhe rrjedhimisht kur shet nuk e shkarkon dot. Në momentin që fermeri e shet produktin e tij tek grumbulluesi, fatura që i lëshon blerësi nuk ndahet në vlerën n e tatueshme dhe atë të TVSH-së, por e ka vlerën e TVSH-së zero. Që do të thotë që blerësi i këtij malli, kur ta shesë këtë mall do të paguaj përveç TVSH së tij edhe atë të fermerit”, thotë eksperti Zusi.
Për të dal nga situata e krijuar, eksperti propozon disa ndërhyrje fiskale në skemën aktuale.
“Zerimi i gjithë taksave që sot paguan fermeri. Taksa e parë që do t’i zerojmë është TVSH-ja mbi produktet që shet me autofaturë. Fermeri të ketë dy opsione, ose të mbajë një lloj bilanci vetë, të thjeshtuar, për TVSH-të që ai paguan gjatë procesit të prodhimit, ose të ketë një TVSH të përllogaritur në mënyrë afrofe sipas kulturave, po themi në masën 10 për qind e cila me paraqitjen e faturës, nga ana e fermerit, për produktet e shitura, automatikisht ky 10 për qindsh i TVSH- së që ai e ka paguar de facto, t’i zbritet siç i zbritet çdo lloj tjetër ekonomik”, nënvizoi eksperti.
Sipas ekspertit Zusi, këto ndryshime do të ndikonin në formalizimin e tregun, shtimin e ardhurave financiare në bujqësi dhe për rrjedhojë do të rritnin edhe konsumin.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




