Sigurimi i detyrueshëm i banesave, ekspertët mbështesin draftin e Ministrisë: “Të gjithë mbrohen!”
Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”, që synon mbulimin financiar të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, veçanërisht tërmetet.
Eksperti i sigurimeve, Artur Balli, thekson se aktualisht sigurimet për tërmete dhe zjarre në Shqipëri janë vullnetare dhe, për fat të keq, niveli i tyre mbetet shumë i ulët, pavarësisht historikut të përsëritur të ngjarjeve të tilla.
“Është për të ardhur keq që me gjithë promovimin e zgjeruar të kompanive të sigurimit lidhur me të tëra produktet e sigurimit, me rëndësinë e sigurimit, përsëri ecuria është jashtëzakonisht e vogël,” thekson z. Balli.
Por sa është kostoja e një sigurimi të tillë?
“Një banesë, një apartament rreth 100 metër katrorë, mund të ketë një sigurim nga zjarret, tërmeti me 5–7 mijë lekë të rinj në vit,” tregon eksperti i sigurimeve.
Zoti Balli shton më tej se ky mekanizëm i ri është një hap pozitiv që pritet të ndikojë edhe në uljen e çmimit për konsumatorët.
“Në qoftë se kemi një sigurim masiv nga tërmeti dhe vlerat e primeve, pra, vlera e blerjes së një police sigurimi, do të jetë shumë e vogël, sepse është një sigurim-shumicë. Pavarësisht se cila pjesë dëmtohet janë të gjithë të mbrojtur,” shton z. Balli.
Eksperti nënvizon se kjo nismë është gjithashtu një mënyrë për të mbrojtur buxhetin e shtetit, pasi në rast të një fatkeqësie natyrore, fondi i sigurimeve do t’u shërbejë të dëmtuarve pa qenë nevoja për ndërhyrje direkte financiare nga shteti.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



