Zjarret në Malësi të Madhe, gjatë muajve qershor–korrik u regjistruan mbi 150 vatra zjarri
Muajt qershor–korrik kanë pasur raste të shtuara zjarri veçanërisht në zonën e Malësisë së Madhe.
Shefi i repartit zjarrfikës, Besnik Hasa, tregon se në muajin qershor pati 50 raste zjarri, ndërsa korriku është mbyllur me mbi 100 të tilla.
“Është një vit i jashtëzakonshëm për sa i përket volumit dhe sasisë së zjarreve. Ka qenë më e vështirë se çdo vit tjetër. Kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve, sepse me këto temperatura dhe me këtë erë që fryn çdo mbasdite është shumë e vështirë të menaxhohen gjithë këto vatra zjarri njëkohësisht,” apelon z. Hasa.
Policia vendore e Shkodrës ka shoqëruar në disa raste aksionet për shuarjen e zjarrit me efektivët e vet, por pa mundur të zbulojë zjarrvënësit.
“Dje patëm Policinë e Shtetit me ne në Buzë të Ujit. Edhe ata po procedojnë me pjesën e vet. Ne e kemi kërkuar dhe e kemi gjetur bashkëpunimin e tyre, por aktualisht nuk kemi një autor për këto ngjarje,” shprehet shefi i repartit zjarrfikës.
Rastet me të shpeshta të zjarrit kanë ardhur si shkak i pakujdesisë, kur banorët ndezin ferra dhe shkurre në tokat e tyre, po situata më pas agravon. Dëmet më të mëdha në këtë zonë kanë qenë në pemë frutore dhe bimë medicinale.
Gazetare: Merisa Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




