Pasioni për librin, 74-vjeçari shkon çdo ditë në bibliotekën e Kukësit
74-vjeçari nga Kukësi, Zylfi Uka, është një nga të moshuarit që çdo ditë frekuenton bibliotekën e qytetit.
Pavarësisht moshës dhe vështirësive fizike për të lëvizur, asgjë nuk e ndal që të shkojë në ambientet e bibliotekës, ku kalon më shumë se një orë duke lexuar, kryesisht shtypin e shkruar.
“Gati ditë për ditë vijë këtu, kur mundem. Unë lexoj dhe deri sa të jem gjallë do të lexoj, sepse e kam si trashëgimi nga babai im. Ai lexonte çdo lloj libri, gazete, reviste,” tregon z. Uka.
Ai tregon se nuk është shkëputur asnjë ditë nga leximi i gazetave, një zakon që e ka nisur që në fëmijëri, kur i lexonte gazetat të atit të moshuar.
“Babai ishte i abonuar në gazetën ‘Zëri i Popullit’ atëkohë dhe nuk shihte mirë nga sytë. Më thoshte ‘hajde këtu, më lexo mua!’ Që aty mua më ka hyrë merak leximi,” thotë lexuesi 74-vjeçar.
Për Zylfiun, leximi i librave dhe i shtypit të shkruar është mënyra më e mirë jo vetëm për t’u informuar, por edhe për të kaluar kohën e lirë. Këshilla e tij kryesore, sidomos për grupmoshat e reja, është që të mos e braktisin librin dhe zakonin e leximit.
“Sa më shumë që të lexosh, aq më shumë rritet virtyti i kulturës. Unë lexoj edhe libra,” shprehet z. Uka.
Në bibliotekën e qytetit të Kukësit janë të regjistruar mbi 500 lexues, si në sektorin e të rriturve, ashtu edhe në atë të fëmijëve. Prej disa muajsh, fondit të bibliotekës i janë shtuar edhe tituj të rinj, ndërkohë që për të moshuarit si Zylfiu, kërkesa kryesore mbetet sigurimi i gazetave, pasi ata mbeten besnikë të shtypit të shkruar.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




