Licensimi i varkave në lumin e Shalës, prefektja Angoni: Siguri për vizitorët
Çdo subjekt që operon këtë sezon turistik në Lumin e Shalës dhe gjithë Liqenin e Komanit është i licensuar. Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni, tregon se policia kufitare po bën monitorim të vazhdueshëm dhe turistët tashmë lëvizin të sigurt.
“Kjo ka qenë një gangrenë dhe para dy vitesh kam pezulluar edhe qarkullimin e varkave në kulmin e sezonit. Ky ka qenë një risk i madh, por në radhë të parë të kemi sigurinë e jetës së njerëzve. Sot kemi të licensuara të gjitha varkat dhe brenda kushteve teknike”, tha Angoni.
Angoni tha se në Lumin e Shalës është zgjidhur edhe çështja e pastrimit të mbetjeve. Vitet e shkuara bashkia Vau Dejës kërkoi ndihmën e bashkisë Shkodër për pastrimin e territorit pasi bizneset aty paguajnë taksa në bashkinë Shkodër, por mbetjet i janë lënë Bashkisë Vau Dejës. Tashmë pushteti vendor në Shkodër po ndihmon në kryerjen dhe monitorimin e pastrimit atje duke ofruar më shumë shërbime për turistët.
“Sa i përket menaxhimit të mbetjeve janë marrë të gjitha masat që të gjitha të pastrohen nga Bashkia Shkodër dhe të ketë një mirëmenaxhim”, tha ajo.
Lumi i Shalës tashmë është kthyer pjesë e destinacioneve më të kërkuara në vendin tonë e këtë vit institucionet po ofrojnë shërbime të shtuara dhe më të sigurta për vizitorët.
Gazetar: Merisa Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



