Anëtarësimi në BE, sfidë mbetet ekspozimi i tregut shqiptar ndaj tregut europian

Ekonomi | 1 vit më parë

Shqipëria eksporton drejt Bashkimit Europian rreth 3/4-ën e gjithë eksportit të saj.

Më afër se kurrë me BE-në, jo thjesht politikisht, por edhe ekonomikisht, tregu shqiptar është i ekspozuar qartë ndaj tregut europian.

“Problemi kryesor është që biznesi vendas, prodhuesi vendas, në kohë kur ka filluar ta rimarrë veten, të jetë më i pranishëm në treg, të ketë produktin dhe markën e vet, të jetë më i certifikuar, nuk duhet të humbasë nga frika e Bashkimit Europian apo e një tregu më të madh e të fuqishëm. Ne e dimë se në të gjitha tregjet operohet me produktet vendase. Edhe turizmi që vjen sot nuk kërkon një produkt europian, por një produkt vendas. Të gjitha palët duhet të shkojnë sa më parë drejt forcimit dhe certifikimit të produktit vendas,” thotë Ilir Hebovija, ekspert për çështjet ekonomike.

Me një përbërje ku rreth 98% e bizneseve shqiptare janë të mesme e të vogla, ndërsa vetëm një përqindje shumë e vogël eksporton në mënyrë të qëndrueshme, është po ashtu e qartë që Shqipëria futet në tryezën europiane si një treg modest, por i hapur.

“Ne i kemi të gjithë mekanizmat për ta ruajtur, sepse sot po kërkohet pikërisht kjo. Globalizmi nuk e përjashton zhvillimin e produktit vendas dhe fuqizimin e ekonomisë vendase. Përkundrazi, në një treg global, ku është më e vështirë që të mund të dallohesh, duke pasur një produkt që është tipik i yti ke krijuar bërthamën për të tërhequr edhe veten, edhe ekonominë vendase, por edhe turizmin,” shton z. Hebovija.

Përfitimet nga një treg europian me rreth 465 milionë konsumatorë janë të mëdha, por rruga drejt konkurrencës reale kalon përmes reformimit të vetë tregut shqiptar.

Me standarde më të larta, më shumë prodhim të brendshëm dhe mbështetje për ndërmarrjet e vogla, Shqipëria mund të hyjë në lojë jo si konsumator, por si konkurrent i denjë.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme