Projektligj për ndryshimin e ligjit “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”

Aktualitet | 1 vit më parë

Qeveria i ka propozuar Kuvendit një projektligj për miratim, i cili synon të bëjë disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ekzistues. Ndryshimet kryesore lidhen me qartësimin e terminologjisë dhe procedurave, si dhe shtimin e masave ndëshkuese.

Ndryshimet kryesore, kanë të bëjnë fillimisht me ndryshimin e terminologjisë. Në projektligj thuhet se emërtimi “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë” zëvendësohet me “Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, fjala “regjistrim tjetër” zëvendësohet me “regjistrim i ndryshimeve të të dhënave”, ndërsa fjala “fillestar” zëvendësohet me “për herë të parë”.

Përcaktimi i qartë i objektit të ligjit. Neni 1 tani përcakton qartë se ligji rregullon procedurat e regjistrimit, funksionimit dhe mbajtjen e regjistrit të organizatave jofitimprurëse.

Procedurat e regjistrimit dhe vendimmarrjes

Kërkesat për regjistrim (për herë të parë dhe për ndryshime), sipas projektligjit, do të paraqiten në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Vendimmarrja për regjistrim, ndryshim apo çregjistrim do të merret nga një gjyqtar i seksionit tregtar.

Ankimi kundër vendimit të gjyqtarit për mospranimin e kërkesës mund të bëhet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 ditëve.

Projektligji parashikon që të vendosen edhe masa administrative dhe gjoba në rastin e deklarimit të të dhënave të pavërteta (kur nuk është vepër penale), që dënohet me gjobë 60,000 lekë.

Edhe moskryerja e detyrimit për regjistrimin e ndryshimeve do të dënohet me gjobë 60,000 lekë. Vendimi i gjyqtarit për gjobën ankimohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Sipas projektligjit, këto ndryshime synojnë të forcojnë qartësinë ligjore dhe të rrisin përgjegjshmërinë e organizatave jofitimprurëse përmes sanksioneve administrative.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme