Koncerti i Orkestrës Frymore – Aktivitete të shumta artistike që gjallërojnë mbrëmjet në bregdet

Muzikë | 1 vit më parë

Atmosferë e veçantë festive u krijua në Durrës, ku Orkestra Frymore e qytetit dhuroi një koncert mbresëlënës nën drejtimin e dirigjentit Saimir Kalaja. Fillimisht banda frymore interpretoi marshe te njohura duke ecur përgjatë bulevardit “Epidamn” drejt sheshit Liria. Dirigjenti i orkestrës frymore Saimir Kalaja tha se ky koncert vjen në këtë moment për shkak te sezonit turistik dhe turistëve të shumtë që pret ky qytet.

“Nuk është viti i parë që bëjmë këtë aktivitet dhe organizohet në kulmin e sezonit veror. Shpresojmë që me koncertin tonë të japim një kontribut sado të dobishëm për të mirën e qytetit tonë”, u shpreh Saimir Kalaja, Dirigjent i Orkestrës Frymore, Durrës.

Publiku pati mundësinë të shijojë një repertor të pasur me vepra të njohura nga autorë shqiptarë dhe të huaj, si Prenk Jakova, Feim Ibrahimi, Georges Bizet, Dmitri Shostakovich, Ludëig van Beethoven, Ennio Morricone, The Beatles e të tjerë. Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte edhe interpretimi i solistes Juna Ruçi, e cila emocionoi publikun me zërin dhe interpretimin e saj artistik.

“Për mua është një emocion shumë i madh dhe jam shumë krenare për veten time”, u shpreh solistja.

Ky koncert vjen si një dëshmi e gjallë e angazhimit të artistëve dhe institucioneve kulturore për të gjallëruar jetën artistike në qytetin bregdetar, sidomos gjatë sezonit veror.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme