Bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Witkoff mbërrin në Rusi
I dërguari i besuar i Presidentit të SHBA për çështjet e jashtme, Steve Witkoff, ka mbërritur mëngjesin e sotëm (6 gusht) në Moskë, pasi Kremlini kërkoi një takim me të, në një përpjekje të fundit për të shmangur sanksionet e reja ndëshkuese që Donald Trump ka kërcënuar të vendosë këtë javë.
Witkoff u prit në aeroport nga i dërguari i investimeve të Rusisë, Kirill Dmitriev dhe pritet të takohet me zyrtarë të ndryshëm rusë gjatë vizitës së tij, duke përfshirë bisedime të mundshme me Presidentin Vladimir Putin.
Trump ka hedhur dyshime mbi gatishmërinë e Putinit për të ndaluar luftimet. Ndërkohë, Putini ka ruajtur ambiciet e tij maksimaliste për konfliktin, duke përfshirë pushtimin e rajoneve ukrainase të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhisë dhe Khersonit dhe duke këmbëngulur që Ukraina të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj.
Në një deklaratë të bërë një ditë më parë nga Shtëpia e Bardhë, Trump u shpreh se do të presë përfundimet e bisedimeve të Witkoff për të vendosjes ndërmarrjen ose jo të sanksioneve të reja ndaj Moskës.
“Nesër kemi një takim me Rusinë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Do ta marrim këtë vendim në atë kohë”, tha ai.
Po ashtu, Trump zhvilloi dje (5 gusht) edhe një bisedë telefonike me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar sanksionet e mundshme ndaj Moskës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




