Sorensen takohet me Osmanin dhe Kurtin: Në fokus, zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë

Kosovë | 1 vit më parë

Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka mbërritur këtë të mërkurë (6 gusht) në Kosovë, ku është pritur nga Presidentja Vjosa Osmani.

Dialogu Kosovë-Serbi, procesi i konstittuimit të Kuvendit dhe nevoja për avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit, kanë qenë temat kyçe të diskutimit mes Osmanit dhe Sorensen.

Nga ana e saj, Presidentja garantoi përkushtimin e vendit të saj ndaj rrugës europiane, ndërsa kërkoi heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës.

“Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera të rëndësishme. Ndërlidhur me Dialogun, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi. Ajo e falënderoi z. Sørensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm për një dialog parimor dhe të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Pas takimit me presidenten Osmani, Sorensen ështrë pritur në një takim edhe nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti. Në një prononcim për gazetarët, Sorensen bëri me dije se zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë ka qenë në fokus të bisedimeve me Kurtin.

 “Sapo pata takim me zotin Albin Kurti dhe me të cilin biseduam për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes, për situatën politike në vend. Sorensen tha se ky është takim i rregullt”, tha Sorensen.

Ndërkaq, një tjetër temë në të cilën u ndal Osmani, ishin dhe arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga Serbia, duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare.

Në muajin mars, Sorensen zhvilloi vizitën e tij të parë në Prishtinë, pas marrjes së detyrës si i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Në këtë vizitë, Sorensen u takua me udhëheqësit institucionalë dhe me përfaqësuesit e opozitës.

Në muajin shkurt Sorensen mori mandatin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme