Lirimi i hapësirave në rrugët kombëtare – Në Shkodër–Koplik, 350 objekte në shkelje. Pritet ndërhyrja e IKMT-së

Aktualitet | 1 vit më parë

Në qarkun e Shkodrës janë identifikuar qindra subjekte që duhet të lirojnë hapësirat e zëna në afërsi të rrugëve nacionale.

Një nga segmentet më problematike në këtë drejtim mbetet aksi Shkodër–Hani i Hotit, ku prej disa ditësh ka nisur ndërhyrja për lirimin vullnetar të hapësirave nga vetë subjektet.

Deri tani janë hequr dhjetëra objekte dhe mure rrethuese.

“Mur dekorativ e kam pasur, të bërë me rrjetë në kushte shumë të mira, por ka qenë një fije afër [rrugës kombëtare]. Nuk them se është e padrejtë, por duhej të mos ishte lënë që ta bëja këtë. Kjo po! Jo mbasi e ndërton, hajde e prishe,” thotë një qytetar.

“Nuk jam kundër. Të lirohet rruga. Nuk ka gjë. Por ne këtu kemi qenë. S’kemi bërë gjë fshehtas. Të na kishin thënë që e kemi gabim, e kishim prishur përnjëherë,” shton një qytetare.

Ndërkohë, për shumë biznese dhe subjekte që nuk i janë përgjigjur thirrjes së institucioneve për lirimin e hapësirave, pritet që të ndërhyjë Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, i cili ka paralajmëruar gjoba, sekuestrime dhe deri në procedime penale ndaj atyre që refuzojnë të zbatojnë ligjin.

Vetëm në segmentin Shkodër–Koplik janë evidentuar rreth 350 objekte, përfshirë ndërtime, mure rrethuese dhe struktura të tjera, kryesisht të bizneseve që ndodhen në afërsi të rrugës dhe që duhet të hiqen për të respektuar distancat e parashikuara nga akti normativ i qeverisë.

Gazetar: Adrian Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme