Netanyahu planifikon të pushtojë plotësisht Gazën dhe t’ia dorëzojë qeverisjen kombeve arabe

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi të enjten ( 8 gusht) se Izraeli synon të marrë kontrollin ushtarak të të gjithë Gazës, por jo ta aneksojë atë. Presidenti izraelit ka deklaruar se ka në plan dorëzimin e Rripit të Gazës, forcave arabe, me argumentin për tu dhënë banorëve të Gazës një jetë më të mirë, pasi sikurse ai thotë, kjo nuk është e mundur me Hamasin.
“Nuk duam ta mbajmë. Duam të kemi një perimetër sigurie. Nuk duam ta qeverisim. Nuk duam të jemi atje si një organ qeverisës. Duam t’ia dorëzojmë forcave arabe që do ta qeverisin siç duhet pa na kërcënuar dhe për tu dhënë banorëve të Gazës një jetë të mirë kjo nuk është e mundur me Hamasin. Kryeministri tha se Izraeli synon të “largojë Hamasin” nga Gaza përpara se t’ia dorëzojë territorin “qeverisjes civile që nuk është Hamasi dhe askujt që mbështet shkatërrimin e Izraelit. Kjo është ajo që duam të bëjmë. Ne duam të çlirojmë veten dhe popullin e Gazës nga terrori i tmerrshëm i Hamasit”, tha Netanyahu.
Netanjahu përsëriti objektivat e Izraelit sikurse shpërbërjen e Hamasit dhe kthimin pa kushte të të gjithë pengjeve. Po ashtu ai shtoi se “konflikti mund të përfundojë menjëherë nëse Hamasi do të dorëzonte armët dhe do të lironte pengjet”.
Udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid, kritikoi qëndrimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për marrjen e kontrollit të plotë të Gazës.
“Ajo që po ofron Netanyahu është më shumë luftë, më shumë pengje të vdekur dhe dhjetëra miliarda shekel të taksapaguesve të derdhura në iluzionet e (Itamar) Ben Gvir dhe (Bezalel) Smotrich”, tha Lapid, duke iu referuar ministrit të sigurisë kombëtare dhe ministrit të financave të ekstremit të djathtë të Izraelit, të cilët i kanë kërkuar vazhdimisht Netanyahut të ndjekë qëllime më maksimaliste në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ndërsa Shefi i IDF ka shprehur qëndrimin se pushtimi i Gazës do ta zhytë Izraelin në një vrimë të zezë.
“Kultura e mospajtimit është një pjesë integrale e historisë së popullit të Izraelit dhe përfaqëson një element themelor të kulturës organizative të IDF-së. Ne do të vazhdojmë të shprehim qëndrimin tonë pa frikë, objektivisht, në mënyrë të pavarur dhe profesionalisht. Ne nuk shqetësohemi për teoritë, por për jetët njerëzore dhe mbrojtjen e shtetit. Vetëm mirëqenia dhe siguria e tij janë para syve tanë“, është shprehur Shefi i Ushtrisë Izraelite, Eyal Zamir, në Forumin e Shtabit të Përgjithshëm.
Kabineti i sigurisë i Izraelit është mbledhur për një diskutim kyç nëse do të vazhdojë me një pushtim të plotë ushtarak të Rripit të Gazës./CNN
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




