Zvicra nën presion të brendshëm pas tarifave të Trump, debati për blerjen e avionëve F-35 nxeh politikën

Europë | 1 vit më parë

Stabiliteti i Zvicrës, i njohur historikisht, po përballet me sfida serioze pas vendosjes së tarifave masive prej 39% nga administrata e Presidentit Donald Trump. Këto tarifa kanë goditur sektorët kryesorë të ekonomisë zvicerane, si farmaceutika, orat, bankat, çokollatat dhe djathërat, duke shkaktuar kaos dhe pasiguri. Ndërkohë që qeveria zvicerane po kërkon një zgjidhje diplomatike, presioni politik i brendshëm po rritet, me kërkesa për t’i bërë ballë Uashingtonit, duke përfshirë rishikimin e kontratës për blerjen e avionëve luftarakë F-35.

Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, po përballet me një front të gjerë kundërshtarësh, që nga Partia e Gjelbër dhe Social Demokratët, deri tek anëtarët e partisë së saj Liberale.

Këta të fundit po kërkojnë që kontrata prej 9 miliardë dollarësh për avionët F-35 të përdoret si një monedhë negociuese kundër tarifave të vendosura nga SHBA-ja. Kjo çështje pritet të diskutohet në Parlamentin zviceran në shtator, duke e vendosur qeverinë përballë një vendimi të vështirë.

Diplomacia kundrejt përplasjes

Gjatë një vizite të fundit në Uashington, Keller-Sutter u takua me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, por nuk u arrit asnjë përparim i dukshëm. Ajo pranoi se qartë që në fillim ishte kuptuar se Trump do t’i mbante tarifat, të paktën në afat të shkurtër.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, u vendos që, për momentin, të shmangej një përshkallëzim i konfliktit me kundër-tarifa, pasi një veprim i tillë do të rëndonte edhe më shumë mbi konsumatorët dhe bizneset zvicerane. Qeveria po përqendrohet në masat mbështetëse për kompanitë dhe po shpreson për bisedime të reja diplomatike.

Megjithatë, presidentja Keller-Sutter paralajmëroi se një marrëveshje “nuk do të arrihet me asnjë kosto”, duke thënë se edhe Zvicra ka “letra të forta për të luajtur”.

Paparashikueshmëria e Trump mbetet faktori kryesor, pasi siç pranoi ajo, “nuk mund të jesh kurrë 100 për qind i sigurt se Trump e sheh atë në të njëjtën mënyrë.”

Debati për F-35 prek thelbin e neutralitetit zviceran, i cili historikisht ka kufizuar eksportet ushtarake në zona konflikti. Megjithatë, Zvicra ka nisur një dialog sigurie me Brukselin dhe është zotuar të blejë 30% të furnizimeve ushtarake nga vendet evropiane. Kjo tregon një ndryshim të mundshëm strategjik, që mund të thellohet më tej nëse tensionet me SHBA-në nuk zgjidhen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme