Tensione midis Rusisë dhe Iranit, Kremlini po i prodhon vetë dronët Shahed

Një dokumentar i fundit i Ministrisë së Mbrojtjes Ruse ka zbuluar një zhvillim të rëndësishëm në industrinë ushtarake të vendit. Në fabrikën gjigante të dronëve në Alabuga, Rusia po prodhon tashmë në masë dronët sulmues të projektuar nga Irani, Shahed-136, të njohur në Rusi si Geran. Sipas deklaratave të drejtorit ekzekutiv të fabrikës, Timur Shagivaleev, shumica e komponentëve tani prodhohen në vend, duke shënuar një ndryshim të madh nga importi fillestar.
Ky pretendim, i cili mbështetet nga imazhet satelitore që tregojnë zgjerim të madh të fabrikës, sugjeron se Rusia ka arritur të lokalizojë deri në 90% të procesit të prodhimit. Ky zhvillim ka margjinalizuar në mënyrë efektive Iranin, i cili tani është lënë në baltë, pavarësisht mbështetjes së tij fillestare për luftën e Moskës.
Një burim i inteligjencës perëndimore thekson se ky veprim tregon “natyrën thjesht transaksionale dhe utilitare” të bashkëpunimit rus. Irani, i cili priste më shumë mbështetje nga Rusia, përfshirë ndihmë pas bombardimeve izraelite, është zhgënjyer nga përgjigja e vakët e Moskës. Analistët thonë se Rusia synon të zotërojë plotësisht ciklin e prodhimit për të qenë e pavarur nga Teherani.
Ndërsa Rusia ka përmirësuar dhe modernizuar dronët, duke i bërë më efikasë dhe vdekjeprurës, raportohet se ka pasur edhe mosmarrëveshje financiare. Një burim thotë se kompanitë iraniane janë ankuar për mos-kryerjen e disa pagesave nga pala ruse, pjesërisht për shkak të sanksioneve ndërkombëtare.
Megjithatë, marrëdhënia mund të mos jetë mbyllur plotësisht. Ekspertë si David Albright mendojnë se Rusia mund t’i ofrojë Iranit versionet e përditësuara të dronëve si ndihmë pas dëmeve që pësoi gjatë konfliktit me Izraelin. Gjithashtu, fluturimi i një avioni ushtarak rus drejt Teheranit ka ngritur dyshime se Moska mund të ketë dërguar komponentët e një sistemi rus të mbrojtjes ajrore S-400. Kjo do të tregonte se, pavarësisht tensioneve, bashkëpunimi mund të vazhdojë, por në një formë ndryshe. CNN
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




