“Duhet të presim aktgjykimin e plotë të Kushtetueses”, Kurti i përgjigjet pyetjes nëse do ta respektojë vendimin e 8 gushtit

Kosovë | 1 vit më parë

Ndërsa më herët paralajmëroi se tha se partia e tij do ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, këtë të martë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se duhet pritur publikimi i aktgjykimit të plotë.

“E kemi pasur më 26 qershor dhe më 8 gusht, po vendimi i gushtit është vetëm njoftim,” tha Kurti pasi mori pjesë në ceremoninë e 26-vjetorit të Doganës së Kosovës dhe duke iu përgjigjur pyetjes nëse do ta respektojë apo jo partia e tij atë vendim.

Në njoftimin e 8 gushtit, Kushtetuesja urdhëroi deputetët që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh, ndërsa afati nis të llogaritet pasi aktgjykimi i plotë të publikohet në Gazetën Zyrtare, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që deputetët e Kuvendit duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe i njëjti kandidat mund të votohet deri në 3 herë, ndërsa të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.

Ky vendim u kritikua nga Lëvizja Vetëvendosje, partia që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, por u mirëprit nga partitë që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Deputetët e shpërfillën aktgjykimin e parë të Kushtetueses të publikuar më 26 qershor, ndërsa gjykata nuk kishte dhënë detaje mbi pasojat e moszbatimit të tij.

Kosova ndodhet në krizë politike pasi nuk ka arritur të formojë institucionet e reja që pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit. Procesi ka ngecur te votimi për Kryetarin e Kuvendit, post për të cilin Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun, por ajo nuk ka arritur asnjëherë të marrë 61 votat e nevojshme.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët zhvilluan 54 seanca për konstituimin e Kuvendit, të cilat dështuan.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme