Zjarret – Rama: Shumë mirë të kishim më shumë avionë zjarrfikës, por nuk zgjidhin problemin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me situatën e rëndë të zjarreve në vend dhe debatin publik mbi mundësinë për të pasur më shumë avionë zjarrfikës. Përmes një postimi në platformën “X”, ai theksoi se edhe vendet e tjera të rajonit, me flotë shumë më të madhe ajrore, po përballen me situata më të rënda.
Rama tha se aktualisht Shqipëria ka në dispozicion më shumë mjete nga ajri se çdo vit më parë, falë flotës vendase dhe ndihmës nga Mekanizmi Evropian e Emiratet e Bashkuara Arabe, por shtoi se rritja e numrit të tyre nuk është se do të zgjidhte problemin me zjarret, pasi shkaqet janë shumë më të thella.
Kryeministri solli si shembull Greqinë, e cila sipas tij ka 77 avionë zjarrfikës, rreth 20 helikopterë dhe mbi 3,500 automjete zjarrfikëse, por sërish po përballet me flakë masive.
“Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por… Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?! Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve. Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët”, shkruan Rama.
Ndërkohë, vendi po përballet me vatra të shumta zjarri, ku situata më e rënduar është në Gramsh dhe Delvinë. Në disa fshatra është dhënë urdhër evakuimi, disa banesa janë shkrumbuar dhe dëmet materiale e mjedisore janë të konsiderueshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




