Trump dhe Putin pritet të mbërrijnë së shpejti në Alaskë, presidenti amerikan: Dua një armëpushim sot! Kremlini: Bisedimet mund të zgjasin deri në 7 orë

Teksa sytë e botës janë drejtuar drejt samitit në Alaskë, presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin, pritet të mbërrijnë së shpejti në Anchorage, ku do të mbahet takimi. Kremlini ka deklaruar se Trump do të takohet me Putinin në shkallët e avionit të presidentit rus kur të ulet, duke shtuar se bisedimet mund të zgjasin deri në shtatë orë.
Trump i ka bërë të qarta qëllimet për këtë takim, duke deklaruar se kërkon që një marrëveshje armëpushimi të arrihet gjatë këtij samiti, duke shtuar se nuk do të jetë i kënaqur nëse nuk ndodh një gjë e tillë.
Po ashtu, në një prononcim për gazetarët në bordin e Air Force One, Trump sqaroi se përpjekjet e tij për arritjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, janë në funksion të shpëtimit të jetëve të pafajshme.
“Do të doja të përqendrohesha te vendi ynë, por po e bëj këtë për të shpëtuar shumë jetë”, tha ai, ndërsa paralajmëroi pasoja të rënda për Rusinë nëse Putin nuk pranon t’i japë fund luftës mbitrevjeçare.
“Po, do të jenë shumë të rënda”, tha ai për masat e mundshme ekonomike ndaj Moskës.
Ndërkaq, në vendin ku do të mbahet takimi, ka mbërritur edhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili është pjesë e delegacionit rus.
Në takimin e sotëm do të marrin pjesë Presidenti Trump, Zv.presidenti J. D. Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe i dërguari special Steve Ëitkoff. Nga ana e Rusisë, prezentë në samit do të jenë Presidenti Putin, Ministri i Mbrojtjes Andrey Belousov, Ministri i Financave Anton Siluanov, ndihmësi i presidentit Yuri Ushakov, dhe i dërguari special i presidentit Kirill Dmitriev.
Samiti pritet që të ketë në fokus të tij disa tema kyçe, sikurse: territori, garancitë e sigurisë, sanksionet dhe tregtia, krimet e luftës, dëmshpërblimet dhe rindërtimi, si dhe çështje të tjera.
Ndërsa Ukraina është në qendër të bisedimeve të sotme, Rusia ka thënë se dëshiron gjithashtu të diskutojë përmirësimin e lidhjeve ekonomike. Putini shoqërohet pikërisht nga një delegacion biznesi me shpresën për ta kthyer diskutimin në çështje ekonomike dhe marrëveshje të mundshme biznesi.
Trump ka kërcënuar me “pasoja të rënda” nëse Putini nuk pranon t’i japë fund luftës, duke përfshirë sanksione të mundshme dytësore ndaj vendeve që importojnë naftë dhe gaz rus.
Ora 19:35 -Trump: Dua një armëpushim sot!
Donald Trump i ka bërë të qarta synimet e tij për takimin me presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se ai dëshiron një armëpushim të menjëhershëm.
“Nuk do të jem i lumtur nëse nuk ndodh sot”, u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial Air Force One. I pyetur se çfarë do ta bënte takimin të suksesshëm, Trump tha: “Nuk e di. Asgjë nuk është përfundimtare. Unë dua disa gjëra. Unë dua një armëpushim.”
“Unë dua të shoh një armëpushim menjëherë. Nuk do të jem i kënaqur nëse nuk ndodh sot. Unë dua që vrasjet të ndalen”, theksoi Trump.
Në të njëjtën kohë, ai hodhi poshtë idenë se ishte nën presion nga Evropa, duke thënë se “Evropa nuk më thotë çfarë të bëj. Natyrisht ata do të përfshihen në proces, padyshim, si dhe Zelensky.”
Ora 17:45 – Kremlini: Takimi Trump-Putin mund të zgjasë deri në shtatë orë
Bisedimet midis Donald Trump dhe Vladimir Putin nuk do të jenë të shkurtra, pasi Kremlini ka bërë të dituar se ato mund të zgjasin të paktën gjashtë deri në shtatë orë, sipas mediave ruse.
Agjencia shtetërore e lajmeve RIA raporton se takimi në Alaska do të zhvillohet edhe me pjesëmarrjen e ndihmësve dhe se Moska pret që ai të sjellë rezultate.
Ora 17:30 -Para takimit në Alaskë, Trump flet me aleatin kryesor të Putinit, Lukashenkon

Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me një nga aleatët kryesor global të Vladimir Putinit, Alexander Lukashenko, presidentin e Bjellorusisë, përpara samitit të tij me udhëheqësin rus në Alaskë.
Lajmin e bëri me dije vetë Trump, përmes një postimi në Truth Social, ndërsa ishte rrugës për në Anchoraga, ku do të mbahet samiti. “Pata një bisedë të mrekullueshme me presidentin shumë të respektuar të Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko”, shkroi Trump, duke thënë se qëllimi i telefonatës ishte ta falënderonte atë për lirimin e të burgosurve.
“Ne diskutuam shumë tema, duke përfshirë vizitën e Presidentit Putin në Alaskë. Mezi pres të takoj Presidentin Lukashenko në të ardhmen. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!” shkroi Trump.
Lukashenko është një aleat i ngushtë i Putinit. Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës në vitin 2022 u nis pjesërisht nga territori bjellorus dhe Putini ka vendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi.
Ora 15:55 -Merz: “Putini ka sot mundësinë të pranojë një armëpushim”

Tre vjet e gjysmë pas sulmit të paligjshëm ndaj Ukrainës, Rusia ka sot mundësinë të pranojë një armëpushim dhe t’i japë fund luftimeve, tha kancelari gjerman, Friedrich Merz, në një deklaratë të publikuar në median sociale X.
“Presim që Presidenti Putin ta marrë seriozisht ofertën për dialog të Presidentit Trump dhe, pas takimit në Alaskë, të nisë negociata të pakushtëzuara me Ukrainën”, theksoi Merz.
Ai shtoi se gjatë ditëve të fundit, Gjermania, krah Ukrainës dhe aleatëve evropianë, ka përcaktuar rrugën drejt një paqeje që garanton interesat themelore të sigurisë së Evropës dhe Ukrainës. Qëllimi, sipas tij, duhet të jetë një samit ku të marrë pjesë edhe Presidenti Volodymyr Zelensky.
“Një armëpushim duhet të arrihet në samit. Ukrainës i duhen garanci të forta sigurie. Çështjet territoriale mund të vendosen vetëm me pëlqimin e ukrainasve”, theksoi kancelari.
Merz tha se, “Presidenti Trump mund të bëjë tani një hap të rëndësishëm drejt paqes. Ai meriton falënderime për këtë nismë dhe për koordinimin e ngushtë ditët e fundit. Në bisedat tona të fundit, ne, partnerët evropianë, i kemi siguruar mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën. Presidenti Trump mund të mbështetet në këtë”, përfundoi ai.
Ora 14:55 – Zelensky: Shpresoj për një samit trepalësh me Trump dhe Putin
Pak orë para takimit të shumëpritur Trump-Putin, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shkruar në rrjetet sociale se pret që të marrë një raport nga shërbimet e inteligjencës ukraine “mbi qëllimet aktuale të palës ruse dhe përgatitjet e saj për takimin në Alaska.
Zelensky shpreosn që takimi i sotëm të hapë një rrugë drejt paqes dhe mundësisë për një samit tri palësh, Ukrainë-Rusi-SHBA.
“Gjëja kryesore është që ky takim të hapë një rrugë të vërtetë drejt një paqeje të drejtë dhe një diskutimi thelbësor midis udhëheqësve në një format trepalësh – Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe pala ruse. Është koha për t’i dhënë fund luftës dhe Rusia duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm. Ne mbështetemi te Amerika . Jemi të gatshëm, si gjithmonë, të punojmë në mënyrë sa më produkte të jetë e mundur”, shkruan Zelensky.

14:50 – Trump: Nuk jam këtu për të negociuar në vend të Ukrainës
Presidenti Trump, duke folur me gazetarët nga avioni Air Force One, tha se ai nuk mund të japë garanci për një paketë sigurie për Ukrainën në kuadër të marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës së saj me Rusinë. Ai shtoi se është i idesë që këtë rol ta marrë përsipër Europa dhe i uli shanset për ta bërë Ukrainën pjesë të NATO-s së shpejti.
“Ka ca gjëra që nuk kanë për të ndodhur,” u shpreh presidenti amerikan.
“Unë nuk po e bëj këtë për shëndetin tim. Nuk më duhet. Do të desha të fokusohesha te vendi ynë, por po e bëj këtë për të shpëtuar shumë jetë,” deklaroi Trump. Presidenti tha se mund të ndërmarrë sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë nëse Putin nuk bie dakord për t’i dhënë fund luftës.
14:25 – Papa Leoni lutet për paqe para samitit SHBA–Rusi
Papa Leoni XIV u lut të premten për fundin paqësor të “shurdhësisë” ndaj luftërave rreth e rrotull botës. Gjatë kremtimit të festës katolike kushtuar Marisë, kreu i Kishës Katolike nuk iu referuar me emër dy presidentëve Trump dhe Putin, të cilët takohen sot në Alaskë, por bëri thirrje për dialog. Ai tha se 15 gushti është ditë feste e shpallur nga Papa Piu XII kur valonte Lufta e Dytë Botërore.
“Ai [Piu] shpresoi që jetët njerëzore të mos shkatërroheshin më kurrë nga luftërat. Sa konkrete janë këto fjalë sot? Për fat të keq, edhe sot ne ndihemi të pafuqishëm përballë dhunës që vazhdon e rritet shurdhazi, pa ia ndjerë asnjë lëvizje njerëzore.“

14:13 – Macron flet me Zelensky për një takim pas samitit të Alaskës
Presidenti francez Emmanuel Macron foli të premten me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky, përpara samitit të parashikuar mes Trump dhe Putin. Dy liderët ranë dakord që të takohen sërish me njëri-tjetrin pas këtij samiti të rëndësishëm, njoftoi Pallati Elize, pa dhënë detaje të mëtejshme rreth temave të diskutuara mes tyre.
13:24 – Rusia nuk hamendëson rreth rezultatit të samitit Putin–Trump, thotë Lavrov
“Ne asnjëherë nuk bëjmë parashikime para kohe. Dimë që kemi argumentet tona dhe qëndrimi ynë është i qartë dhe nuk lë mëdyshje. Ne do ta prezantojmë atë. Në fakt, shumë është bërë tashmë gjatë vizitave të të dërguarit special të Presidentit të SHBA-së, Steve Witkoff. Presidenti Vladimir Putin e ka përmendur këtë fakt. Steve Witkoff foli në emër të Presidentit Donald Trump,” deklaroi të premten ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, me të mbërritur në Alaskë si pjesë e delegacionit paraprak rus. Ai e bëri deklaratën për televizionin shtetëror rus, ndërsa veshur mbante një bluzë me mbishkrimin “BRSS” (shkurtimi i Bashkimit Sovjetik) në shkronja cirilike.

13:15 – Avioni i presidentit Trump niset për në Alaskë
Avioni presidencial i SHBA-së u nis të premten drejt Alaskës, ku presidenti Trump do të mbajë një samit të rëndësishëm me kreun e shtetit rus, Putin. Takimi i përbashkët pritet të nisë në orën 21:00 me kohën shqiptare, ndërsa presidenti Trump është parashikuar të kthehet sërish në Uashington rreth 7 orë më vonë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




