Samiti i Alaskës- S’arrihet një marrëveshje, Trump: Bëmë përparim, por kemi ende shumë rrugë

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin, nuk kanë dalë me një marrëveshje nga samiti i Alaskës, por të dy liderët theksuan se është bërë përparim në bisedimet për arritjen e paqes në Ukrainë. Në konferencën e përbashkët për shtyp, ku pranuan se takimi i tyre, i cili zgjati gati tre orë, u zhvillua në një atmosferë pozitive, Donald Trump dhe Vladimir Putin deklaruan se ishte bërë përparim, por, siç vuri në dukje presidenti amerikan, “kemi ende shumë për të bërë”.
Trump tha se do ta informonte presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Takimi mes Trump dhe Putin filloi pa vonesë menjëherë pas mbërritjes së tyre në Bazën Ushtarake Elmendorf-Richardson në Alaska për takimin historik mbi Ukrainën.
Të dy udhëheqësit u ulën pranë njëri-tjetrit, teksa pas tyre, në një sfond blu lexohej “Në Kërkim të Paqes”. Fillimisht ata pritej të takoheshin kokë më kok, por më pas dy udhëheqësve iu bashkuan zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë. Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov dhe këshilltari i politikës së jashtme Yuri Ushakov shoqërojnë Putinin, ndërsa Trump i janë bashkuar Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari special Steve Witkoff. Ky takim shënon ndërveprimin e parë ballë për ballë të dy udhëheqësve që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e tij të dytë.
Pak para fillimit të takimit, ata morën një sërë pyetjesh nga gazetarët, por nuk dhanë përgjigje. Më pas Trump konfirmoi se nuk do të merrnin pyetje, duke përfunduar takimin me gazetarët. “Faleminderit shumë të gjithëve,” tha ai.
Zbritja në Alaskë, Trump dhe Putin shtrëngojnë duart
Air Force One, avioni me të cilin udhëtoi Presidenti i SHBA, Donald Trump, u ul i pari në Alaskë, ndërsa avioni i Putin mbërriti disa minuta më vonë. Dy udhëheqësit shkëmbyen shtrëngimin e parë të duarve, sapo zbritën nga avionët. Trump madje duartrokiti presidentin rus ndërsa ai po afrohej në tapetin e kuq.
Më pas, Putin iu bashkua Trump në limuzinën e tij presidenciale, duke u larguar nga aeroporti, për të vijuar më tej me takimin e tyre.
Trump i vendosur për të arritur një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës
Më herët, Donald Trump i bëri të qarta synimet e tij për takimin me presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se ai dëshiron një armëpushim të menjëhershëm.
“Nuk do të jem i lumtur nëse nuk ndodh sot”, u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial Air Force One.
I pyetur se çfarë do ta bënte takimin të suksesshëm, Trump tha: “Nuk e di. Asgjë nuk është përfundimtare. Unë dua disa gjëra. Unë dua një armëpushim. Unë dua të shoh një armëpushim menjëherë. Nuk do të jem i kënaqur nëse nuk ndodh sot”, tha ai. Në të njëjtën kohë, ai hodhi poshtë idenë se ishte nën presion nga Evropa, duke thënë se “Evropa nuk më thotë çfarë të bëj”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili nuk po merr pjesë në takim, theksoi se Ukraina do të “mbështetet te Amerika”. Nëse samiti shkon mirë, Trump ka sugjeruar organizimin e një takimi trepalësh bashkë me Zelenskyn.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.














